E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot Argjentina meKore e Jugut Maradonasulm Pelesë e Platinisë

JOHANESBURG-Pele, kthehu në muze! Diego Armando Maradona është rikthyer të sulmojë "O Rey"-n. Në konferencën e shtypit dje përpara ndeshjes se sotme me Korenë e Jugut, trajneri i Argjentinës nuk ka lejuar t'i ikë mundësia për të ironizuar Edson Arantes do Nashimento, i njohur ndryshe si Pele, por edhe kreun e UEFA-s Mishel Platini. Këtë herë ai ka replikuar me fjalët e ish-yllit të futbollit brazilian, që deklaroi pak ditë më parë se ai u bë trajner i Argjentinës vetëm për para dhe se nuk ka asnjë lidhje me këtë detyrë. "Pele duhet të kthehet në muze, - u shpreh Maradona. Platini ndërkohë nuk më habit, sepse unë dhe ai kemi qenë gjithnjë shumë larg", deklaroi ai, duke replikuar edhe me presidentin e UEFA-s, i cili i pyetur sesi e shihte Diegon si trajner, kishte ironizuar: "Maradona ka qenë një futbollist i madh". Në fakt, mes të dyve nuk ka patur kurrë një raport të mirë dhe Maradona nuk ngurron ta pohojë një gjë të tillë. "Kemi pasur vetëm një "hola" dhe "arrivederci", asgjë më shumë. E dimë sesi janë francezët. Platini është francez dhe mendon se është më i mirë se pjesa tjetër e botës. Unë nuk i kam dhënë kurrë rëndësi atij njeriu", u shpreh trajneri i Argjentinës. Kritikat e Diego Armando Maradonës kanë qenë të forta edhe për topin e Botërorit, të quajtur "Jabulani", i cili duket se u krijon probleme të mëdha jo vetëm portierëve, por edhe futbollistëve, që hasin vështirësi për ta kontrolluar. "Topi është një tjetër temë e nxehtë për të cilën nuk dua të flas, - deklaroi argjentinasi. - E kanë thënë shumë djem, që nga Romero, Poco e deri te Mesi, por topi ama influencon shumë në lojë. Unë i kërkoj Pelesë dhe Platinisë të shkojnë të shohin topat me të cilët luanin vetë dhe pastaj të japin një gjykim për Jabulanin. Ndoshta do të pushojnë së thëni gjëra për mua", u shpreh Maradona.
Botërori
Po çfarë i ka pëlqyer Maradonës nga Botërori i Afrikës së Jugut? Cili nga futbollistët e zbritur në fushë ka tërhequr vëmendjen e tij? Argjentinani nuk ngurron të përgjigjet. "Kam vënë re Podolskin, Elanon dhe Maikon, por asnjëri nuk është se më ka impresionuar në mënyrë të veçantë, - thotë ai. - Askush nuk ka arritur të bëjë madje as 40 % të asaj që bëri Mesi me Nigerinë. Leo duhet vetëm të rrijë i qetë dhe të luajë futbollin e tij, pjesa tjetër do të vijë vetë. Kjo është arsyeja përse jam shumë optimist për takimin me Korenë e Jugut: do të fitojmë ne!". Deri tani në Botëror nuk është parë aspak futboll i bukur, por Maradona e ka përgjigjen edhe për këtë: "Në ndeshjen e parë të gjitha skuadrat, madje edhe ato të mëdhatë, luajnë të kujdesshme, sepse është shumë e rëndësishme të mos e humbasësh". Ndërkohë, Veron nuk do të luajë në ndeshjen ndaj Koresë së Jugut. "Kam nevojë për Veron, - thotë Maradona, - por nëse e hedh në fushë mund të ketë probleme më të rënda dhe rrezikojmë të humbasim fare". Në vend të tij, trajneri i Argjentinas do të hedhë në fushë mesfushorin e Liverpulit Maksi Rodrigez.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera Rezultatet live ne faqen e FIFA-s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›