E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bekim Fehmiu do të prehet në Prizren

TIRANE-PRISHTINE-BEOGRAD-Mesazhe ngushëllimi e keqardhjeje për vdekjen e Bekim Fehmiut kanë shprehur komunitetet artistike,si dhe politikanët shqiptarë e serbë. Teatri Kombëtar në Tiranë, përmes një njoftimi për shtyp, i shpreh ngushëllime familjes së aktorit që u vetëvra në shtëpinë e tij në afërsi të Beogradit, të martën në drekë. Në të shkruhet se "Teatri Kombëtar dhe njerëzit e skenës dhe ekranit gjejnë rastin për t'i shprehur ngushëllimet e thella familjes së tij dhe kolegëve kosovarë për humbjen e këtij artisti të dimensioneve europiane". Ndërkaq, Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se në këtë institucion do të mbahen "Ditët Homazh për Bekim Fehmiun". Duke nisur nga data 15 Qershor, Teatri Kombëtar mban shtatë ditë zie (homazh) për nder të aktorit të ndjerë, Bekim Fehmiu. Për shtatë ditë me radhë, çdo natë nga ora 21:00 do të ndizen 74 qirinj për hir të viteve të aktorit, si dhe do të vendoset libri i zisë për të gjithë qytetarët. Gjatë këtyre ditëve do të ketë edhe një ekran që do të shfaqë filma me aktorin e ndjerë Bekim Fehmiu. "Trupi i tij i pajetë është gjetur nga njëri prej djemve të tij", njoftojnë mediat serbe, të cilat e kanë vlerësuar maksimalisht aktorin shqiptar, Bekim Fehmiu. Ndërkaq, edhe presidenti Tadiç i ka dërguar një letër ngushëllimi familjes së aktorit, por ngushëllime familjarëve iu kanë dërguar edhe Sejdiu e Haradinaj, si edhe Ministria shqiptare e Kulturës. Aktori pas më shumë se 7 dekadave jetë, i dha fund vet jetës së tij, e sipas mediave serbeve që kanë cituar Ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Dacic, thuhet se Fehmiu ka kryer vetëvrasje me pistoletën e regjistruar në emrin e tij. Për vdekjen e aktorit Milazim Salihu, drejtor i Kinemasë "ABC" në Prishtinë ka thënë se "lajmin e hidhur e mora nga Branka Petric, aktorja e njohur e Beogradit dhe bashkëshortja e Bekimit. Në shtëpi e kanë gjetur, dhe ka bërë vetëvrasje me revole". Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu është shprehur në telegramin e tij të ngushëllimit, se Bekim Fehmiu është sinonim i artit filmik. Veç Sejdiut, edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka ndarë dhimbjen me familjen Fehmiu dhe mbarë komunitetin shqiptar të artistëve. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjes së të ndjerit Bekim Fehmiu. Në të ai thotë se "lajmi për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj më të dashur, korifeut botëror të filmit dhe të skenës, Moisiut të dytë të kombit shqiptar, ka sjellë dhimbje dhe zi në botën e artit dhe të mendimit intelektual të kombit shqiptar". Më tej ai thekson se Bekim Fehmiu "u nda nga jeta pasi i la artit botëror një trashëgimi të pavdekshme, kombit shqiptar krenarinë e ligjshme për kolosin e tij të madh".
Amaneti
Dy muajt e fundit, sipas Agon Fehmiut, aktori tashmë i ndjerë nuk ka qenë në një gjendje të mirë shëndetësore, pasi kishte pësuar gjakderdhje në tru. "Dy muajt e fundit ai ka qenë i sëmurë, ka pasur gjakderdhje në tru. Do të thotë ka qenë në rehabilitim e sipër", - ka thënë Agon Fehmiu, nipi i tij për gazetën "Express" në Prishtinë. Korrespondenti Radio Televizionit të Kosovës në Beograd, Fahri Musliu në një bisedë me gruan e aktorit Fehmiu, Branka Petric ka thënë se amaneti i aktorit ishte që trupi i tij të digjet. "Bashkëshortja e Bekimit, Branka Petric, një aktore e njohur e Beogradit deklaroi se Bekimi ka bërë vetëvrasje në banesë rreth 14:00-15:00, ndërsa ajo ishte në qytet, dhe se gjatë katër muajve të fundit ai ka qenë i vetizoluar, dhe ka pasur disa probleme shëndetësore e psikike", raporton Musliu. "Ajo tha se djegia e trupit të tij do të bëhet në Beograd, por ende nuk është caktuar data. Kjo ka qenë dëshira e fundit e Bekimit, tha Branka Petriq", raporton Fahri Musliu, korrespodenti i RTK-së në Beograd.
Aktori
Fehmiu ka lindur 74 vjet më parë në qytetin e Sarajevës, ndërsa deri sot është konsideruar si "kremi" i aktrimit në ish-Jugosllavi. Rrugëtimi i tij jetësor lidhet mes Sarajevës, Shkodrës, Prizrenit, Prishtinës dhe Beogradit. Fehmiu gjatë karrierës së tij ka luajtur 40 filma të metrazhit të gjatë, si në kinematografinë jugosllave, ashtu edhe në atë evropiane, duke arritur madje edhe në Hollywood. Ka bashkëpunuar ngushtë me emrat e njohur të filmit si: John Houston, Ava Gardner, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Claudia Cardinale, Candice Bergen. Në vitin 1987 Fehmiu, në shenje proteste kundër propagandës antishqiptare dhe përhapjes së urrejtjes ndaj shqiptarëve, braktisi shfaqjen "Madame Kolontine" të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin. Në fillimin e vitit 2001 u botua autobiografia e aktorit Bekim Fehmiu me titullin "Shkëlqim dhe frikë". Për një kohë të gjatë Fehmiu ka qenë i mbyllur sa i përket deklarimit në media. Gazeta "Express" dy muaj më parë pati publikuar një shkrim rreth vizitës së Fehmiut në Shqipëri në vitin 1972. Për shkak të një bllokade totale dhe të hekurt, sa i përket informimit dhe teknologjisë, duket se fytyra e Fehmiut vetëm sa imagjinohej nga shqiptarët e Shqipërisë.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›