Arrestimet për legalizimet,u ndërhy në hartën dixhitale
DURRES/ OERD ULQINI
Katër të arrestuarit e dosjes “ALUIZNI” e pranojnë fajin e kryer gjatë deponimeve të tyre të para në hetuesi. Këtë fakt e bënë të ditur burimet zyrtare të policisë së Durrësit, të cilat shtuan se ndaj të arrestuarve ekzistojnë prova të pakontestueshme, të cilat vërtetojnë akuzat e Prokurorisë. Të njëjtat burime saktësuan se “të arrestuarit, jo vetëm që kanë pranuar përgjegjësinë e tyre ligjore, por janë duke bashkëpunuar ngushtë me drejtësinë, pasi kjo do të jetë rrethanë lehtësuese për ta në proces”. Prokuroria e Durrësit është duke dokumentuar prova shtesë, pasi ka bindjen se hetimi nuk mund të ndalet vetëm me katër emra, por në të janë përfshirë edhe nëpunës të tjerë shtetërorë apo sekserë jashtë institucionit të ALUIZNI-t. Ndërkohë, pavarësisht goditjes policore, dega e ALUIZNI-t në Shkozet ka funksionuar pjesërisht në ato zyra, tek të cilat nuk ka pasur arrestime. Asnjëri prej nëpunësve të tjerë të Shkozetit nuk jep deklarata, duke u mjaftuar me fjalët, “kjo është një punë vetëm e policisë”. Provat e forta të Prokurorisë në ngarkim të drejtorit Qamil Byberi dhe të tre funksionarëve të lartë, Rexhep Kuçana, Gjon Doçi dhe Gentiana Gjepali, kanë të bëjnë veç përgjimeve telefonike për ryshfete që varijonin nga 250-1000 euro edhe me falsifikimet në hartën dixhitale të ndërtimeve informale. Prokuroria ka marrë në dorëzim hartën elektronike, në të cilën është ndërhyrë ilegalisht nga të pandehurit, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. është vënë re nga hetuesit se, në krahasim me hartën origjinale dixhitale të vitit 2006, në hartën e modifikuar kanë “mbirë pa dashje” dhjetëra objekte, nga një deri në katër katëshe. Gjithashtu akuza zotëron edhe një shirit me afro 15 minuta incizime, në të cilën telefonuesit (zyrtarët e arrestuar), në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi kanë biseduar në celular për legalizime kundrejt ryshfetit. E thënë ndryshe, në hartën e legalizimeve në disa zona të Spitallës, Shijakut, Plazhit, Xhafzotajt dhe Rrashbullit janë përfshirë edhe objekte, për të cilat deri në fund të vitit 2006 nuk ishte vendosur asnjë tullë. Pra ndonëse janë ndërtuar pas afatit të fundit që ishte viti 2006, këto objekte janë legalizuar kundrejt bakshishit njëlloj me të tjerat. Sinjalet e para për shkeljet e zyrës së ALUIZNI-t në Shkozet kanë ardhur nga vetë komuniteti informal. Këta të fundit, teksa shihnin se pavarësisht skadimeve të afatit, të tjerët ndërtonin dhe legalizonin pa asnjë problem kanë lajmëruar policinë e shtetit. Me t’u siguruar se informacioni ishte i saktë, prokurorët nisën në verën e vitit 2009 një hetim shumëplanësh, i cili përfshiu rreth 100 objekte, të ndodhura nga Xhafzotaj e deri në Plazh, por shkeljet u dokumentuan për një numër më të vogël sesa godinat e përfshira në hetim.