“Takimi me Henrin për Gërdecin”
Armand Bajrami
Ish-drejtori i Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm, Bardhyl Hoxha, tregoi dje në Gjykatën e Tiranës si kishte refuzuar në vitin 2006 demontimin e municioneve nga kompania amerikane SAC në Bërzhitë, proces i cili më pas u zhvillua në Gërdec. Dëshmia e Hoxhës u paraqit në seancën e radhës në ngarkim të 29 të akuzuarve si përgjegjës për shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec. Dëshmitari Bardhyl Hoxha rrëfeu para togave të zeza për takimin mes funksionarëve të lartë Ministrisë së Mbrojtjes, mes të cilëve drejtori i MEICO-s aktualisht i pandehur, Ylli Pinari, ku u “ligjërua” kompania amerikane SAC. Hoxha tha se SAC kishte përzgjedhur Bërzhitën si vend për ndërtimin e demontimit të municioneve. Në këtë pikë kompania amerikanë kishte hasur në kundërshti të Drejtorisë së Logjistikës, pasi procesi i demontimit në Bërzhitë konsiderohej i papërshtatshëm, për shkak të afërsisë me zonën e banuar dhe rrugës automobilistike. Ndërkohë që dëshmitari nuk dinte si ishte përcaktuar rajoni i Gërdecit, si zonë për procesin e demontimit. Sipas tij, “në atë periudhë ishte në një detyrë tjetër, që nuk kishte lidhje me të”.
PREZANTIMI
Dëshmitari Hoxha pohoi se në 27 dhjetor të vitit 2006 kompania amerikanë SAC kërkonte të kryente veprimtari demontimi në Shqipëri. “U thirra nga zëvendëssekretari i Shtabit të Përgjithshëm, Ardian Mullai, në zyrën e tij. Ishte prezent edhe drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, juristi i Ministrisë së Mbrojtjes, Plarent Ukaj dhe përfaqësuesi i kompanisë SAC. Përfaqësuesit të SAC nuk ia di emrin, por ishte shtetas amerikan. Më vonë erdhi edhe Sokrat Papadhima në cilësinë e shefit të sektorit të armatimit dhe municionit. U bë një prezantim me kompjuter portativ nga përfaqësuesi i SAC, ku shpjegohej procesi i demontimit. Në fund të takimit të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan paraprakisht propozimin si një mundësi të eliminimit dhe shkatërrimit të municioneve të tepërta.
SAC kërkonte të bënte një aktivitet demontimi për municionet 7.62 mm, 12.7 mm, 14.5 mm dhe 37 mm, me gëzhojë të kuqe”, tha dëshmitari. Më pas, ai pohoi se të pranishëm në takimin në Ministrinë e Mbrojtjes kishte qenë edhe Ndue Marku dhe Shkëlzen Madani.
REFUZIMI I BERZHITES
Hoxha tha dje se një memo e datës 28.12.2008 e Drejtorisë së Logjistikës “frenoi” ndërtimin e fabrikës së demontimit në Bërzhitë. “Memoja e drejtuar Shtabit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes u realizua nga Sokrat Papadhima. Më pas është firmosur edhe nga ana ime. Në memo kemi thënë që qendra e demilitarizimit do zgjidhet nëpërmjet negocimit mes palëve. Njëra palë ishte Shtabi i Përgjithshëm, ndërsa pala tjetër ishte kërkuesi SAC. Aty kemi përcaktuar se Bërzhita ishte e papërshtatshme për demontim, pasi ishte afër zonës së banuar, afër rrugës automobilistike dhe nuk i përmbushte kushtet që përcaktoheshin nga urdhrat dhe rregulloret përkatëse për veprimtari të tilla.
Në memo përmendej asgjësimi në natyrë i barutit të moshës 23-30 vjeçare”, u shpreh dëshmitari. Por Hoxha nuk dinte pse u përzgjodh Gërdeci më pas. “Nuk e di si është caktuar rajoni i Gërdecit, pasi në këtë periudhë kam qenë në një detyrë tjetër”, tha dëshmitari.
“S`kishte rregulla për barutin”
TIRANE – I pandehuri Dritan Minxolli, ish-drejtor i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, ritheksoi dje se ai asnjëherë nuk e kishte parashikuar shpërthimin e 15 marsit 2008, ku u vranë 26 persona dhe u plagosën me së 300 të tjerë. I pranishëm në seancë, Minxolli bëri dje një reagim nga kafazi i sallës së gjyqit. “Unë kam jetuar vetë në fabrikë. Kurrë nuk e kam menduar se do të ndodhte ajo që ndodhi”, u shpreh Minxolli. “Cilët janë funksionarët e Ministrisë së Mbrojtjes, që kanë firmosur, licencuar dhe përcaktuar territorin e ish-repartit ushtarak të Gërdecit për ndërtimin e fabrikës së demontimit, ku më pas unë kam punuar njëlloj si punonjësit e tjerë? Pse nuk është bërë asnjë kontroll nga struktura të ministrisë, pas nisjes së punës në fabrikën e demontimit? Pse në urdhrin e ministrisë nuk kam parë asnjë mënyrë trajtimin ditor të barutit”, u shpreh Minxolli. Sipas tij, edhe administratori amerikan i SAC-Albademi, Patrik Henry, nuk e kishte parashikuar shpërthimin e 15 marsit 08. ar.ba
“Urdhri 550 për Gërdecin, me mangësi”
TIRANE – Dëshmitari Ylli Bajo, ish-shef i zyrës së Këshilltarëve Ligjorë në Komandën e Forcës së Bashkuar, tha dje se ishte njohur me urdhrin e Ministrisë së Mbrojtjes për dhënien e tokës me qira për ngritjen e fabrikës së Gërdecit. Por, sipas dëshmitarit, në urdhër kishte probleme për sa i përkiste masës së sipërfaqes. “Urdhri 550, datë 25.04.2007, nuk më është drejtuar mua, por Drejtorisë së Logjistikës. Mua më ka vënë në dijeni specialisti i mjedisit, Kristaq Arapi. Ai më ngriti shqetësimin lidhur me vështirësinë e zbatimit të masës së sipërfaqes. Në urdhër nuk përcaktohej qartë. Thuhej vetëm ‘truall’. Unë i thashë që, meqë bëhet fjalë për një projekt shtetëror, të vinte në dijeni strukturat përkatëse”, tha dëshmitari. Bajo pohoi dje se ishte njohur me projekt-aktmarrëveshjen mes MEICO-s dhe komandës së FB. “Njëkohësisht Logjistika kishte paraqitur një draft të vetin. Unë siglova projekt-aktmarrëveshjen e hartuar nga Drejtoria e Logjistikës”, tha dëshmitari. ar.ba
“Ushtria punoi për Mihal Delijorgjin,MEICO s‘paguante”
TIRANE – Nikolla Ndoi, ish-oficer shtabi për armatimin dhe municionin pohoi dje se, MEICO nuk paguante asnjëherë për transportin e municioneve, përfshi edhe transportin drejt Gërdecit. Në përgjigje të pyetjes së bërë nga i pandehuri Ylli Pinari, dëshmitari tha: “Me MEICO-n nuk është përdorur asnjëherë likuidim financiar për transportin e municioneve, pasi ajo është konsideruar si pjesë e ministrisë”. Po dje dëshmitari Ndoi tregoi për problematikat e hasura në projekt-aktmarrëveshjen mes MEICO-s dhe Komandës Mbështetëse në Forcën e Bashkuar. “Projekt-aktmarrëveshja ka ardhur nga MEICO. Pasi u studiua nga ana jonë, i është kthyer përgjigje negative. Aktmarrëveshja përcaktonte caktimin e një magazinieri të Komandës Mbështetëse për magazinimin e objekteve në Gërdec. Ajo nuk përputhej me urdhrin e ministrit, në pjesën e procesit të ngarkim-shkarkimit të municioneve. Në urdhrin e ministrit thuhej ‘i kalohet’ dhe jo ‘i dorëzohet’”, u shpreh dëshmitari. Sipas tij, saktësimi i këtij termi do të caktonte se kush nga palët kishin për detyrë realizimin e ngarkim-shkarkimit. Por sipas dëshmitarit, refuzimi nuk kishte ndryshuar situatën. “Pasi i refuzuam, nuk ka ardhur asnjë përgjigje nga MEICO”, tha ai. Gjithashtu, Ndoi rrëfeu dje për “eksperimentimin” e Gërdecit në ditët e para kur filloi demontimi. “Në 11 qershor 2007 na është dërguar një fonogramë ku kërkoheshin dy makina me municion për në Gërdec, për eksperimentim demontimi. Pas ekzekutimit të këtij fonogrami, ka vazhduar dërgimi i municioneve në Gërdec”, deklaroi dëshmitari. ar.ba