Itali, emigranti shqiptar 9 ditë i zhdukur
ITALI- Një 27-vjeçar nga Shkodra, emigrant prej disa vitesh në Itali, prej 9 ditësh rezulton i zhdukur. Familja e shqiptarit Agustin Ndoj, i cili nuk është parë nga asnjë prej të afërmve që prej datës 8 prill, kërkon ndihmën e Policisë Italiane për ta gjetur emigrantin. Sipas mediave italiane, Agustin Ndoj jetonte në Garda të Italisë së bashku me vëllain, por ditën e 8 prillit kishte dalë në liqen me traget dhe nuk është kthyer më. Denoncimi për zhdukjen është depozituar tri ditë më parë nga avokati i familjes, Alessandro Zagonel, i cili ishte pajisur me prokurë. Të afërmit e shqiptarit kanë kërkuar që nëse dikush e ka parë, apo ka ndonjë informacion në lidhje me emigrantin Ndoj për ngjarjen e nëntë ditëve më parë, të shkojë në polici ose të njoftojë avokatin e familjen në numrin e telefonit celular, 0039 3484129553, për të komunikuar për informacione. Për familjarët, zhdukja e Agustin Ndojt është mister dhe ende e pabesueshme. Sipas mediave italiane, edhe pse kanë kaluar nëntë ditë nga ngjarja, ende nuk ka një hetim në lidhje me zhdukjen dhe një renditje faktesh. Nuk ka asnjë dëshmitar ndër pasagjerët e tragetit në rrugën Garda-Bardolino. Sipas të dhënave paraprake është vetëm një çift, që pretendojë se kanë dëgjuar një të bërtitur dhe kanë parë të riun që ka rënë në ujë. Që nga ai moment nuk ka asnjë të dhënë tjetër për të dhe asnjë dëshmi. Gjithashtu, edhe masat që kanë marrë marinarët e anijes nuk kanë zbuluar asgjë rreth tij. Kritikat e avokatit italian të familjes shqiptare, drejtuar personelit të tragetit nuk kanë munguar.