E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkurrenca në Marikaj,sherr me armë për betonieren



Etleva Delia

Konfliktet për një pikë të prodhimit të betonit në Marikaj, u bënë shkak për një përleshje fizike e më pas me armë mes disa personave në periferi të Tiranës. Bilanci i ngjarjes është dy persona të plagosur, një i arrestuar dhe një person i shpallur në kërkim nga policia. Dy vëllezër nga Tirana, Artur e Mirakandi Farruku dhe një 31-vjeçar nga Shkodra, Alban Metani, janë protagonistët e përleshjes me armë e cila ka ndodhur dy ditë më parë në fshatin Marikaj. Burime nga policia thanë se vëllezërit Farruku kishin nisur ndërtimin e një pike, ku do të prodhonin beton, por kjo nuk është pritur mirë nga Alban Metani. Deri pak ditë më parë, ai ishte i vetmi që kishte në pronësi një pikë prodhimi për beton në atë zonë. Deri pak ditë më parë, Metani kishte furnizuar me material ndërtimi edhe dy vëllezërit me të cilët u konfliktua. Frika për një konkurrencë në bizneset që ndodhen në Marikaj, janë bërë shkak që Alban Metanin të debatojë me dy vëllezërit Farruku. Debati mes tyre, i nisur me fjalë, është ashpëruar me fyerje e kërcënime nga të dy palët. Policia tha se më pas, Alban Metani, i ndihmuar edhe nga disa të rinj nga Shkodra ende të paidentifikuar, ka qëlluar me gurë duke plagosur lehtë të dy vëllezërit, Artur e Mirakandi Farruku, përkatësisht 38 dhe 33 vjeç. Për t’u hakmarrë ndaj sulmit të shkodranëve, njëri nga vëllezërit ka nxjerrë pistoletën, duke qëlluar në drejtim të agresorëve pa mundur që të shënjestrojë njeri. Në momentin e të shtënave me armë, nga vendi i ngjarjes është larguar 31-vjeçari Alban Metani, së bashku me personat që e ndihmuan në konflikt. Në këtë kohë, policia ka marrë informacion për ngjarjen, por nga vendi i krimit është larguar edhe njëri nga vëllezërit që kishin qëlluar me armë, pikërisht Mirakandi Farruku. Policia arrestoi në flagrancë vëllain e tij Artur Farruku. Nga hetimet e policisë, rezulton se Alban Metani në bashkëpunim edhe me një person tjetër kanë debatuar dhe më pas kanë plagosur lehtë me gurë vëllezërit Artur e Mirakandi Farruku. Këta të fundit i janë përgjigjur me armë zjarri sulmit me mjete të forta që është bërë ndaj tyre. Policia ka shpallur në kërkim Mirakand Farrukun dhe Alban Metanin. Vëllezërit Farruku akuzohen për “kanosje” dhe “prishje të rendit dhe të qetësisë publike”, ndërsa Alban Metani, në kërkim, akuzohet për “plagosje të lehtë me dashje”, “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›