E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluturimet evropiane në kaos



Pasagjerët në Evropë mund të presin pezullime të mëdha në trafikun ajror evropian këtë fundjavë, pasi retë e hirit vullkanik nuk kanë gjasa të ndalen në qiejt e kontinentit. Kështu njoftoi “Eurocontrol”, agjencia evropiane që merret me sigurinë e fluturimeve. Shumë vende kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore, nga frika se hiri mund të dëmtojë motorin e avionëve. Brian Flynn, zv/drejtori i operacioneve të “Eurocontrol”, tha se në Evropë janë pezulluar 50 për qind e fluturimeve për ditën e premte. Situata mund të jetë e njëjtë edhe gjatë të shtunës. Hiri i vullkanit të Islandës ka prekur fluturimet në pjesën veriore të vendeve të kontinentit, kryesisht në Britani, Norvegji, Danimarkë, Suedi, Francë, Gjermani, Italinë veriore, Spanjë, etj. Në përgjithësi, një pjesë e madhe e hapësirës nga Atlantiku në kufijtë rusë dhe nga Alpet në Detin Arktik mbeten të mbyllura.
‘Shtyhet’ funerali i Kaczynskit
Retë e hirit vullkanik po pengojnë seriozisht një nga funeralet më prestigjiozë të organizuar në Poloni. Presidenti Obama, Presidenti Medvedev, dhe dhjetëra krerë shtetesh, Princi i Uales dhe të paktën dhjetë kryeministra pritet të ulën në aeroportin “Krakov” të dielën, për të marrë pjesë në funeralin e Presidentit Lech Kaczynski. Meteorologët po parashikojnë se hiri mund të rrezikojë sigurinë e fluturimeve edhe të dielën. “Edhe nëse retë qartësohen deri atëherë, vizita e Presidenti amerikan mund të jetë në dyshim. Shërbimet sekrete amerikane i duan gjërat të organizuara shumë kohë përpara, por fluturimet transatlantike kalojnë pranë Islandës dhe kjo është shumë e rrezikshme”, tha një organizator i ceremonisë për mediat. Aeroportet “Krakov” dhe ai i Varshavës kanë qëndruar të mbyllur të premten. Ndihmësi i Presidentit, Jacek Sasin tha se ekziston një alternativë e madhe për shtyrjen e funeralit të dielën pasdite apo të hënën në mëngjes. Edhe pse kjo, sipas tij, është një hipotezë dhe nuk ka asnjë plan konkret, familjarët e Presidentit Kaczynski janë shprehur kundër kësaj ideje. Ata kërkojnë me insistim që ata e funeralit të mos ndryshojë edhe pse disa lider mund të mos jenë të pranishëm. Edhe organizatorë të tjerë të ceremonisë dhe funeralit janë kundër shtyrjes së tij, pasi do të krijohej konfuzion më i madh, sidomos me organizmin e punës së shërbimeve sekrete të vendeve të ndryshme (midis tyre edhe armike), liderët e të cilave do të marrin pjesë në funeral, duke e bërë situatën kaotike.
I rrezikshëm për shëndetin
Shpërthimi i vullkanit në Islandë mund të dëmtojë edhe njerëzit me probleme me frymëmarrjen, ka njoftuar kështu Organizata Botërore e Shëndetit. Agjencia e Kombeve të Bashkuara nuk ka siguruar ende se cilat janë rreziqet specifike të shëndetit, por ekziston rreziku. “Grimcat e hirit mund të jenë shumë të rrezikshme për shëndetin, pasi kur merren bashkë me ajrin ato mund të arrijnë në zonat periferike të bronkeve dhe mushkërive dhe mund të shkaktojnë probleme veçanërisht për njerëzit që vuajnë nga astma apo probleme të ndryshme të frymëmarrjes”, tha zëdhënësi i OBSH-së, Daniel Epstein. Ekspertët e sëmundjeve të frymëmarrjes kanë mohuar ekzistencën e një rreziku të madh, pasi grimcat e hirit kanë toksikë të ulët dhe nuk mund të ndikojnë shumë te njerëzit.
Pa afat
Reja e hirit që pezulloi fluturimet në gjysmën e kontinentit u krijua pas shpërthimit të një vullkani që gjendej nën një akullnajë në jug të Islandës. Rreth 800 njerëz u evakuuan në zonën pranë akullnajës Eyjafjallajokul, pasi u raportua se ajo po shkrinte. Sipas vlerësimeve të gjeologëve në Islandë, nuk ka shenja të uljes së aktivitetit vullkanik dhe e njëjta situatë se mund të zgjasë për disa ditë, por është regjistruar prodhim më i ulët hiri vullkanik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›