E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestimi, Emiliano Shullazi përdorte një makinë të Kuvendit

TIRANE- Emiliano Shullazi dhe Gilmando Dani, të arrestuar mbrëmjen e së martës, lëviznin në kryeqytet me makinë të Kuvendit të Shqipërisë. Një fakt i tillë bëhet me dije nga burime të policisë së Tiranës, të cilët shprehen se gjatë kontrollit të imtësishëm rezultojë se këta persona kishin në përdorim dhe qarkullonin me një makinë tip Benz 240 me targa Tr 2703L, e cila është pronë e Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas policisë, Shullazit dhe Dani iu janë sekuestruar dhe celësat e dy makinave të tjera ku njëra prej tyre rezulton e blinduar. Pas marrjes së informacionit në rrugë operative se Emiliano Shullazi ishte parë i armatosur nën shoqërinë e dy personave të tjerë pranë qendrës Globe, tek parku i autobuzave.

Efektivët e veshur me antiplumb të komisariatit 2 kanë vajtur për ta arrestuar. Në momentin që kanë vënë re praninë e policisë, tre personat janë larguar në këmbë drejt rrugës Stavri Themeli, ku dhe janë ndaluar nga dy makina të patrullës. Në momentin e arrestimit bëhet me dije se Shullazi dhe Dani nuk kanë bërë rezistencë. Ndërkaq mësohet se personi i tretë, emri i të cilit nuk bëhet me dije dhe që dispononte një armë automatike është larguar duke iu shpëtuar policisë.

Të enjten në gjykatën e Tiranës do të jepet dhe masa e sigurisë për dy personat. Emiljano Shullazi ka kryer më parë një dënim shtatë-vjeçar për trafik droge dhe ky është arrestimi i tij i tretë brenda vitit.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›