E Diel, 1 Nëntor 2026

1500 familje të pastreha,në pritje për 131 banesa

09/11/2011  Projekti për familjet e pastreha rome ende i parealizuar, në ankth të gjithë të pastrehët

KORÇE- Rreth 1500 familje të qytetit të Korçës po përballen me ankthin e madh të pritjes së lajmit, nëse do të kenë fatin të përzgjidhen si familje të pastreha me të drejtën për të përfituar një banesë ose jo. Shpërndarja e apartamenteve është çështje ditësh, por jo më shumë se 2-3 javë. Dokumentacioni për përmbylljen e këtij procesi është në përfundim e sipër. Për këtë arsye, çdo ditë që kalon rrit edhe me tepër “ethet” e pritjes. Që të gjitha këto familje kanë plotësuar dokumentacionin e kërkuar nga zyra e Strehimit të Bashkisë Korçë dhe që të gjitha shpresojnë se do të jenë përfituese, sepse askush nuk mendon se kërkesa e tij nuk do të merret parasysh. Mendohet kështu, sepse, sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli i Bashkisë, përfituese do të jenë ato familjet që nuk kanë përfituar nga privatizimi i vitit 1992 dhe jetojnë nën normat e strehimit, por edhe familjet me probleme sociale, me të ardhura të pakta, me banesa në rrezik shembje, me probleme shëndetësore etj. Megjithatë, më të dëshpëruar se gjithë të tjerët ndihen familjet e pastreha rome, për të cilat thuhej se do të kishte një projekt për strehimin e 44 familjeve, por që deri më sot ende nuk është realizuar. Gjithsesi, që të gjitha familjet, përfshi këtu edhe romët dhe egjiptianët, pretendojnë se i plotësojnë këto kushte. Megjithatë, të përzgjedhësh 131 familje mes 1500 aplikantëve duket se nuk do të jetë një proces i lehtë. Dyshimet se mund të ketë favorizime, nga ana e familjeve të pastreha, janë të mëdha.

131 apartamente

Aktualisht ka përfunduar ndërtimi i 131 apartamenteve, nga të cilat 96 prej tyre do të jenë banesa sociale me qira. Ky projekt u financua nga kredia CEB (Banka Evropiane për Zhvillim) me 60% të vlerës ose 1.2 milionë euro dhe 40% ose 795.000 euro kontributi i qeverisë, ku bashkia kontribuon me truallin dhe infrastrukturën. Në total vlera e këtij projekti shkoi afërsisht në 2 milionë euro, nga të cilat u ndërtuan 2 pallate me 6 kate dhe një me 7 kate, ose gjithsej 96 hyrje. Sipas burimeve pranë Bashkisë Korçë, “përparësi në përfitimin e këtyre banesave do të kenë familjet në nevojë me probleme sociale e shëndeti, ato që banojnë në banesa të rrezikuara dhe të ardhura mujore të pakta”. Kërkesa për apartamente të tilla është mjaft e lartë. 1500 familjet që kanë aplikuar për strehim i shohin me mjaft zili apartamentet e përfunduara. Krahas 96 apartamenteve ka përfunduar edhe 1 pallat me 35 apartamente, vlera e të cilit shkon në 114.148.329 lekë. Ky projekt u realizua nga buxheti i shtetit dhe bashkia. Edhe për këto 35 apartamente është përcaktuar se kush do të ketë përparësi. Sipas burimeve pranë Bashkisë Korçë, “përfituesit e këtij projektit do të jenë familjet që banojnë në banesa të ish-pronarëve, të familjeve të tjera në nevojë për strehim dhe janë në gjendje që me mundësitë financiare që sigurojnë të përballojnë shlyerjen e kredisë”.

Projekti për komunitetin rom

Krahas ndërtimit të 131 apartamenteve do të realizohej edhe një projekt tjetër posaçërisht për familjet e pastreha të komunitetit rom. Projekti në fjalë synonte ndërtimin e banesave tip dykatëshe të grupuara në blloqe për të reduktuar koston e ndërtimit. Madje kostoja totale e projektit do të ishte 86.027.708 lekë, me financim nga grandi i MPPTT me 64.027. 708 lekë dhe me financim nga bashkia me 22.500. 000 lekë.

Sipas burimeve pranë Bashkisë Korçë, “nga ky projekt do të përfitonin strehim 44 familje të komunitetit rom, të cilët jetojnë në kushte të vështira banimi”. Megjithatë, deri më sot asgjë nuk është bërë realitet. Të gjendur në këto kushte familjet e pastreha rome kërkojnë t’u jepen një shpjegim, nëse do të kenë përparësi në këto 131 apartamente apo do të trajtohen vetëm kur të ndërtohen apartamentet e premtuara.

Procedura

Procedura që do të ndiqet për shpërndarjen e apartamenteve do të jetë kjo: pas përfundimit të aplikimit që tashmë ka përfunduar, zyra e Strehimit në bashki do të bëjë seleksionimin, pas kësaj gjithë dokumentacioni do t’i kalojë Komisionit të Strehimit në bashki, ku më pas gjithë dokumentacioni i përgatitur do të merret në shqyrtim nga ana e Këshillit të Bashkisë, ku ky i fundit ia kalon sërish Komisionit të Strehimit me qëllim trajtimin e familjeve të pastreha. Së fundi lista e përzgjedhur i kalon për miratim Këshillit të Bashkisë, e cila merr parasysh kriteret që janë parapërcaktuara nga ana e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›