E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestimi i Albin Kurtit, policia pranon dhunën e ushtruar

Policia e Kosovës ka pranuar përdorimin e dhunës gjatë arrestimit të liderit “Vetëvendosje”, Albin Kurti. Zëdhënësi i policisë Baki Kelani bëri të ditur se “policia ka forcë proporcionale për ta vënë situatën nën kontroll. Mund të them se është përdorur edhe spreji për ta vënë situatën nën kontroll”. Por, sipas tij, policia ka hasur në një rezistencë aktive nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë përdorur mjete të ndryshme, për të penguar arrestimin e Kurtit.

Ndërkohë “Vetëvendosja” ka akuzuar policinë se ka përdorur forcë të tepruar mbi pjesëtarët e lëvizjes së saj, gjatë arrestimit të Kurtit. Aktivisti Xhelal Sfeqla tha se policia ka përdorur gaz lotsjellës, spreji dhe shkopinj të gomës ndërsa brenda Rajonit të policisë janë rrahur aktivistët e kësaj lëvizje. Dicka e tillë është mohuar nga zëdhënësi i policisë, Baki Kelani.

Disa aktivistë të Lëvizjes kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Zëdhënësi Kelani tha se ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 12 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të lënduar gjatë operacionit për arrestimin e Kurtit.

< I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›