Arrestimi i Ben Qimes, bllof i policisë
Përplasje në drejtësi e polici për ndalimin e të fortit të Fierit. Gjykata e Lartë prishi masën e arrestit për mungesë provash
Gjykata e Lartë i ka “dhuruar” lirinë Arben Isufajt. Mungoi bashkëpunimi mes prokurorisë dhe policisë
TIRANË- Arrestimi i Arben Isufajt, i njohur me nofkën Ben “Qimja” rrezikon të kthehet në një bllof të policisë. Edhe pse lart e poshtë reklamohet arritja e një bashkëpunimi të shkëlqyer mes policisë dhe prokurorisë, operacioni i mesditës së martë ka shënuar një tjetër çarje të madhe mes këtyre dy institucioneve. Oficerët e policisë kanë nxituar të prangosin Isufajn, pa kontaktuar me Prokurorinë e Tiranës, e cila po e hetonte prej fillimit të këtij viti. Sipas burimeve zyrtare nga prokuroria, vërtet ka pasur një masë arresti nga Gjykata e Tiranës, por kjo masë është rrëzuar nga Gjykata e Lartë. Më 13 maj të këtij viti, Gjykata e Lartë ka vendosur prishjen e këtij vendimi dhe heqjen e masës së sigurisë ndaj Arben Isufajt, me pretendimin se prokuroria nuk ka asnjë provë që e implikon atë në vrasjen e Pirro Koçiut në vitin 2002. Tashmë, fati i Ben “Qimes” duket i parashkruar, megjithëse prokuroria ka ndërmend t’ia lërë vendimin e lirimit Gjykatës së Tiranës.
***
Me pretendimin e mungesës së provave, Gjykata e Lartë ka shuar masën e sigurisë ndaj Arben Isufajt, ndërkohë që vendimi duhej të shkonte në Prokurorinë e Tiranës dhe në zyrën e Interpolit, për ta hequr emrin e tij nga lista e personave në kërkim. Në rrethana ende të paqarta, ky vendim ka mbetur i arkivuar në sirtarët e Interpolit, ndërkohë që emri i të fortit të Fierit vazhdonte të qëndronte në top-listën e të kërkuarve. Një tjetër hallkë që nuk ka funksionuar ka qenë policia e Tiranës, e cila për “hesap” të vet ka mbajtur në vëzhgim Isufajn, për ta prangosur mesditën e së martës, teksa ai po drekonte në një restorant pranë Kopshtit Zoologjik. I gjithë bllofi juridik është marrë vesh dje, kur prokurori i çështjes ka lajmëruar drejtorin e policisë për “gafën” e bërë, ndërkohë që avokati i të akuzuarit e kishte dorëzuar vendimin e Gjykatës së Lartë në polici. Nga ana tjetër, vetë Isufaj kishte paralajmëruar policinë se po e arrestonin më kot, duke u bërë të ditur se Gjykata e Lartë e kishte shuar masën e sigurisë.
***
Zyrtarë të Prokurorisë së Tiranës bëjnë me dije se rihapja e dosjes për vrasjen e 12 gushtit të vitit 2002 të Pirro Koçiut ka ardhur pas këmbënguljes së familjarëve të viktimës. Për këtë ngjarje janë akuzuar Fatlum Kadia, Arben Isufi dhe Erion Danaj, ku ndaj këtyre dy të fundit u pushua akuza nga Gjykata e Lartë, me pretendimin se nuk vërtetohet që ata të jenë implikuar në krim. Ndërkohë, edhe vendimi i datës 13 maj të këtij viti, dhënë nga Gjykata e Lartë me kryesues Fatos Lulon, rrëzoi masën e sigurisë “arrest me burg”, të dhënë nga dy shkallët e gjyqësorit për personin nën hetim Arben Isufaj, duke argumentuar se prokuroria nuk ka sjellë asnjë provë të re, veç atyre të paraqitura në vitin 2006. Por Prokuroria e Tiranës, pas hetimeve disa mujore ka arritur në përfundim se ekzistojnë dyshime të bazuara në prova se shtetasi Arben Isufaj është organizatori i vrasjes së Pirro Koçiut, fakt ky që vërtetohet në analizën e bërë të gjurmëve të gishtave në Angli, ku ka dalë një përputhje prej 90 % të elementëve.
ARRESTI
Çdo të ndodhë me Arben Isufajn?
TIRANË- Po ç’do të ndodhë tashmë me Arben Isufajn? Pas ndalimit të tij, burimet nga prokuroria konfirmojnë se brenda këtyre dy ditëve, do të dorëzojmë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë kërkesën për vlerësimin e ndalimit nga policia të shtetasit Arben Isufaj, duke kërkuar njëkohësisht administrimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila ka prishur masën e sigurisë “arrest me burg”. “Do të lihet në vlerësimin e gjykatës caktimi apo jo i masës së sigurisë ndaj të akuzuarit, apo edhe vlershmëria e operacionit të policisë”,-pohuan dje për “Shekullin” burime nga Prokuroria e Tiranës. Megjithatë, prokuroria garanton se hetimet ndaj Isufajt do të vazhdojnë në gjendje të lirë. Sipas prokurorisë, Isufaj bashkë me Fatlum Kadiun dhe Erion Danaj akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vrarë për hakmarrje shtetasin Pirro Koçiu, më 12 gusht të vitit 2002. Ndalimi i 37- vjeçarit Arben Isufaj i njohur ndryshe me pseudonimin Ben “Qimja”, u bë dy ditë më parë në një lokal në periferi të kryeqytetit, kur ky i fundit nuk ka bërë rezistencë. Në ngarkim të Isufajt janë ngritur shumë akuza nga prokuroria shqiptare dhe ajo italiane, por deri më sot, asnjëra prej tyre nuk është vërtetuar nga drejtësia.
MASAT PËR ISUFAJN
21 prill 2005
Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”
22 korrik 2005
Gjykata e Apelit ka vendosur lënien në fuqi të këtij vendimi, në mungesë
4 tetor 2006
Gjykata e Lartë ka vendosur prishjen e dy vendimeve dhe rikthimin e çështjes në prokurori
12 shkurt 2008
Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur sërish masën e sigurisë “arrest me burg”
13 maj 2008
Gjykata e Lartë ka vendosur sërish prishjen e kësaj mase sigurie, në mungesë provash