Të dhënat e pasakta, Gashi veçohet nga banda e Durrësit
Prokuroria po bashkëpunon me familjarët për vetëdorëzimin e Bujar Gashit
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur t’i rikthejë prokurorisë aktet procedurale ndaj të pandehurit në mungesë, Bujar Gashi, i akuzuar si pjesëtar i “bandës” së Durrësit. Vendimi i pranimit të kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda u dha mëngjesin e djeshëm nga gjyqtari Ardit Mustafaj, i cili i la për “detyrë” prokurorisë të plotësojë të dhënat e tij personale dhe familjare, pasi është sjellë si i pandehur me gjeneralite jo të sakta. Mos saktësimi i këtyre të dhënave personale ka bërë që prokurorët të kërkojnë nga gjykata veçimin e çështjes së tij dhe kthimin e akteve për plotësim, kërkesë kjo që u pranua nga gjykata. Ndërkohë, burimet e rezervuara pranë organit të akuzës konfirmuan se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka hyrë në bisedime me familjarët e të pandehurit në mungesë për dorëzimin e tij dhe futjen e emrit të tij në listën e bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Por një gjë të tillë nuk konfirmohetzyrtarisht nga institucioni i akuzës, zyrtarët e së cilës shprehen: “ai është person në kërkim nga policia për veprat e kryera në kuadër të “bandave” të Durrësit”. Sipas akuzës, Bujar Gashi nga Durrësi është i akuzuar për vepra të ndryshme penale, të kryera për llogari të bandës. Mësohet se prokuroria ka ngatërruar identitetin e babait të Bujar Gashit me një person tjetër që mban po të njëjtin emër në qytetin e Durrësi ndaj edhe duhen saktësuar të dhënat e tij.