E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestimi i zyrtarit në ambasadë, Meta: S´jap dorëheqjen

PS e konsideroi provë të korrupsionit në qeveri arrestimin e Almir Rrapos, zyrtar i ministrisë së Jashtme, i cili u vu në pranga në ambasadën amerikane teksa po aplikonte për vizë, pasi SHBA e kishte shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar droge.

Kërkesave të opozitës për dorëheqje Meta iu përgjigj duke theksuar se arrestimi i zyrtarit që ai drejton është provë e nismës për tolerancë zero kundër korrupsionit. “Përgëzoj organet e policisë dhe bashkëpunimin e tyre me organet e tjera ndërkombëtare. Arrestimi konfirmon tolerancën zero kundër korrupsionit dhe se nuk do kursehet askush qoftë sekretar teknik apo përfaqësues i qeverisë” tha mesditën e sotme në një prononcim për shtyp nga ministria e Jashtme zoti Meta.

Duke iu përgjigjur kërkesës së PS-së, të bërë publike sot nga deputetit socialist Taulant Balla për të dhënë dorëheqjen, Meta tha: “Dorëheqjen do ta japim kur të mbarojë afati i përcaktuar me Kushtetutë. I bie edhe tre vite të tjera“. Ai ftoi opozitën të bashkëpunojë dhe të tregojë vullnetin e saj në reformat për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›