Arrestohen 3 falsifikues pasaportash
Pas një aksioni të policisë së Durrësit tre persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë, pasi akuzohen për presion ndaj zyrtarëve shtetëror, me qëllim falsifikimin e pasaportave biometrike.
Sipas policisë gjatë operacionit të koduar Kalimi kanë përfunduar në pranga shtetasit Tefik Shehu, 22 vjeç, banues në Durrës, Ismet Rrahmani 31 vjeç, banues në Pejë të Kosovës dhe Genc Kodra, 26 vjeç, banues në Durrës si dhe ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për dy të rinj me inicialet D.Sh. 19 vjeç dhe O.D. 19 vjeç.
Të arrestuarit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë ushtruar ndikim të paligjshëm pranë punonjësve të strukturave të aplikimit e pajisjes me pasaportë.