Arrestohen 4 serbe të Bosnjes, akuzohen për masakrën e Vllasicit
SARAJEVË- Policia boshnjake arrestoi sot katër serbë të Bosnjës të dyshuar për pjesëmarrje në një masakër ndaj më shumë se 200 myslimanëve dhe kroatëve në fillim të luftës së Bosnjes në vitet 1992-1995. Kjo u bw e ditur nga zyra e prokurorit të përgjithshëm. “Milorad Skrbic, Milorad Radakovic, Gordan Djuric dhe Ljubisa Cetic u arrestuan me akuzat për krime kundër njerëzimit pranë qytetit veriperëndimor të Prijedorit”, njoftoi në një deklaratë zyra e prokurorit.
"Ata dyshohen se kanë marrë pjesë në ekzekutimin e më shumë se 200 civilëve myslimanë dhe kroatë në Malin e Vlasiçit, të cilët u transportuan me autobusë nga kampi i përqendrimit në Prijedori në qytetin qendror të Travnikut", thuhet në deklaratë.
Masakra ndodhi më 21 gusht 1992 në Bosnjen qendrore si pjesë e një vale spastrimi etnik, ndërkohë që forcat rebele serbe të Bosnjes u përleshën me kroatët boshnjakë dhe myslimanët gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Viktimave të masakrës, shumica prej të cilëve meshkuj, iu tha se do të liroheshin në shkëmbim të të burgosurve dhe u dërguan nga kampi i përqendrimit të Trnopoljes në një zonë pyjore.
Atje, të burgosurit u detyruan me forcë të uleshin në gjunjë në buzë të një gremine dhe u qëlluan me armë zjarri. Disa veta arritën të mbijetojnë duke ikur në rrëmujë e sipër ose duke u hedhur nga shkëmbi.
Ish-oficeri i policisë serboboshnjake Darko Mrdja, i cili dëshmoi se kishte marrë pjesë në masakrën e kryer në malin e Vllasiçit, është dënuar me 17 vjet burg nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi me qendër në Hagë.
(d.b/BalkanWeb)