Arrestohen 9 persona, sekuestrohen 30 kg hashash
Operacioni “Porosia e largët” në Llakatund të Vlorës
Destinacioni i lëndës narkotike, Greqia
Nëntë shtetas janë prangosur përgjatë orëve të para të ditës së djeshme, ndërkohë që mësohet të jenë sekuestruar 30 kg lëndë narkotike, e destinuar për në shtetin fqinj të Greqisë. Operacioni i koduar “Porosia e largët” u finalizua dje në Vlorë, ndërkohë që shtrirja e tij ka qenë edhe në Llakatund. Nëntë shtetasit, burra dhe djem në moshë të re, u kapën në kushtet e flagrancës teksa po transportonin një sasi të konsiderueshme droge, të llojit kanabis sativa. Arrestimi i të dyshuarve është kryer pasi në vendin e quajtur Bestrovë e Vogël janë kapur në flagrancë fillimisht disa prej tyre. Ruhi Matuka dhe Klodion Ibrahimi janë kapur mbrëmjen e djeshme të parët në këtë valë antidroge, kur atyre, në automjetin e tyre taksi, të markës “Benz”, me targa VL 574, u është gjetur një çantë me lëndë narkotike të llojit kanabis me peshë të përgjithshme 4.1 kg. Po kështu, në kuadër të këtij operacioni, në fshatin Llakatund të rrethit të Vlorës, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Hamit Hoxha janë gjetur 4 thasë me ngjyrë të bardhë, ku brenda tyre ndodhej një sasi prej 24 kg bimë narkotike e llojit kanabis. Duke konkluduar mbi operacionin, Antidroga e Vlorës tha se nga ana e tyre është sekuestruar e tërë sasia e lëndës narkotike, në total 28.1 kg, dy automjete, një i markës “Benz”, tipi 220, me ngjyrë të bardhë me targa VL 574, taksi, si dhe një automjet tip “Toyota” ngjyrë portokalli, me targa italiane LA 099 VVM. Po ashtu u sekuestruan një pasaportë e falsifikuar, si dhe 10 aparate celularë, që ky rrjet trafikantësh kishte në përdorim. Gjatë hetimeve intensive të kryera rezultoi se gjithë shtetasit e arrestuar, Klodian Ibrahimi, Hamit Hoxha, Dashnor Lumaj, Ruhi Matuka, Gjergj Rustemi, Klajdi Malollari, Florian Sadikaj, Elton Islamaj e Rexhep Selimaj, janë të implikuar në trafik të paligjshëm ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Nga hetimet e kryera nga strukturat përkatëse në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Vlorës, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka rezultuar se këta persona punonin me porosi të caktuara në drejtim të shtetit grek. Edhe sasia e mallit e sekuestruar, mësohet se kishte destinacion pikërisht Greqinë.
U arrestuan
* Klodian Ibrahimi, 23 vjeç, lindur e banues në lagjen “Partizani” të qytetit të Vlorës
* Hamit Hoxha, 42 vjeç, lindur e banues në fshatin Llakatund, Vlorë
* Dashnor Lumaj, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Llakatund, Vlorë
* Ruhi Matuka, 42 vjeç, lindur në Nivicë, Tepelenë dhe banues në lagjen “10 Korriku”, Vlorë
* Gjergj Rustemi, 42 vjeç, lindur e banues në fshatin Llakatund, Vlorë
* Klajdi Malollari, 23 vjeç, lindur e banues në fshatin Llakatund, Vlorë
* Florian Sadikaj, 24 vjeç, lindur e banues në fshatin Llakatund, Vlorë
* Elton Islamaj, 18 vjeç, lindur e banues në fshatin Llakatund, Vlorë
* Rexhep Selimaj, 30 vjeç, lindur e banues në lagjen “Isa Boletini”, Vlorë
Durrës
Sekuestrohen makina luksoze të vjedhura në Itali e Francë
Forcat e policisë së Durrësit pas një pune të mirëorganizuar kanë realizuar gjetjen dhe bllokimin e disa automjeteve të vjedhura në shtetet Itali dhe Francë. Sipas të dhënave zyrtare policore, është bllokuar automjeti tip “Audi Q-7” me targa DR 7492 E, ngjyrë e zezë, me numër shasie vavzzz4lx7d037305, e shpallur në kërkim, pasi ky mjet ka rezultuar i vjedhur në shtetin italian vitin e kaluar. Mjeti ishte në pronësi të 45-vjeçarit Ilir Jashari, banor i qytetit të Durrësit. Ndaj tij nisi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale të “trafikimit të mjeteve motorike” parashikuar nga neni 141/a i Kodit Penal. Është bllokuar edhe automjeti BMW seria-5, me targa KR 7040 A ngjyrë blu, i cili rezulton i vjedhur në shtetin francez. Mjeti ishte në pronësi të shtetasit Eduart Bami, 33-vjeçar, banues në Krujë. Por edhe automjeti tip “Benz Mercedes” me targa DR 8806 D, ngjyrë blu, i cili rezulton i vjedhur në shtetin italian. Ai iu gjet shtetasit Përparim Bermuca, banues në Xhafzotaj të Durrësit.