E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku; Kapet me 10.5 kg heroinë të pastër, arrestohet korrieri Hasalla



Arrestohet me 10.5 kg heroinë të pastër korrieri i drogës. Droga vinte nga Elbasani, vend ku banonte edhe transportuesi i saj, ndërkohë që dyshohet se destinacioni përfundimtar i saj ishin tregjet greke. Përgjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, punonjësit e Pikës Kufitare të Kapshticës kanë bllokuar sasinë prej 10.5 kg heroine të pastër dhe kanë arrestuar një 23-vjeçar, i cili ishte duke kryer transportin e drogës. Në prangat e uniformave blu ra Artur Hasalla, i cili e kishte fshehur sasinë e heroinës në makinën me të cilën po lëvizte. Sipas burimeve nga policia, mendohet se në këtë trafik narkotikësh janë përfshirë persona të tjerë, ndërkohë që po punohet për të rënë në gjurmë të tyre. I riu, i arrestuar, ishte me banim në Elbasan dhe po udhëtonte në drejtim të qytetit grek të Selanikut. Pas kontrollit të ushtruar në makinë e tij dhe zbulimit të lëndës narkotike, 23-vjeçarit i janë vënë prangat dhe është shoqëruar për në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Ndërkohë nga ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore janë duke u kryer veprimet e para hetimore për të zbardhur linjën e trafikut, përfshirjen e të tjerë personave, çka do të bëhet e mundur falë transkriptimeve të tabulateve telefonike.

Operacioni

Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, përkatësisht rreth orës 08:00, i riu Artur Hasalla po tentonte të kalonte në pikën tonë kufitare me Greqinë, atë të Kapshticës, me shpresë për të kaluar pa u vënë re edhe mallin që mbante me vete. Punonjësit e policisë kanë nisur nga kontrollet në makinën e të riut, sipas procedurave. Në gomën rezervë të makinës, ata kanë gjetur të fshehur disa pako, ku brenda së cilës mendohej se ishte një sasi lënde narkotike e dyshuar si heroinë. Menjëherë 23-vjeçarit i janë vënë prangat, ndërsa sasia e dyshuar si heroinë është nisur drejt laboratorit për t’u ekzaminuar. Aty ka rezultuar se të fshehura, fillimisht, ishin rreth 3 kg heroinë e pastër. Në makinën me targa greke ku udhëtonte Hasalla kanë vazhduar kontrollet. Në vazhdim të punës së tyre, punonjësit e policisë kanë gjetur edhe 7.5 kg, e cila pas kontrollit të bërë rezultoi se ishte substancë narkotike e llojit heroinë e pastër. Sipas burimeve nga policia, droga e kapur kishte si destinacion vendin grek, Greqinë. 23-vjeçari kishte deklaruar se po udhëtonte drejt Selanikut. Nga hetimet paraprake rezulton se i riu është pjesë e një grupi që merrej me trafikun e lëndëve narkotike. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të “trafikut të lëndëve narkotike”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›