Shkodër; Zbardhet vrasja për gjakmarrje e 10 viteve më parë
Policia e Shkodrës ka arritur që të zbardhë një ngjarje, e cila ka ndodhur dhjetë vjet më parë. Sipas burimeve nga policia, autor i dyshuar i krimit është një 41-vjeçar dhe policia po punon për arrestimin e tij. Bëhet fjalë për ngjarjen e 17 janarit 1998 në lagjen “Tom Kola” të qytetit verior. Atë ditë, nën motive gjakmarrjeje, A. Nike që në atë kohë ishte 30-vjeçar, nuk kurseu plumbat ndaj një fëmije vetëm 15-vjeçar dhe dy femrave. Për pasojë, mbeti i vrarë Ergys Kopshtari, kurse u plagosën rëndë edhe Marina K. dhe Mervete M. Dyshohet se autor i kësaj ngjarjeje është A. Nike, 41 vjeç, lindur e banues në fshatin Grudë, Komuna Rrethina në Shkodër. Pak kohë më parë, si rezultat i veprimeve të kryera nga ana e antikrimit, Prokuroria e Rrethit vendosi rifillimin e hetimeve për këtë dosje të pezulluar dhe më 13 shkurt të këtij viti, Gjykata e Rrethit Shkodër ka vendosur në mungesë ndaj A. Nike, masën e sigurisë “arrest me burg”. 41-vjeçari përballet me akuzat e “vrasjes në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave” dhe “mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”.