Pushojnë reshjet e borës dhe shiut, vazhdojnë temperaturat e ulëta
Izolohen 14 komuna në vend, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në disa akse rrugore nacionale dhe rurale
Në të gjithë territorin e vendit nuk ka më reshje dëbore apo shiu, ndërkohë që temperaturat shënojnë nga 0 gradë në - 8 gradë celsius. Të dhënat janë grumbulluar në çdo skaj të vendit, qytet, komunë apo deri në zonat e thella nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, e cila informoi dje se në të gjithë territorin e vendit nuk ka më reshje shiu apo dëbore. Situata sinoptike është e përmirësuar, por temperaturat vazhdojnë të jenë të ulëta, në disa zona veri dhe verilindore, nën 0 gradë deri - 8 gradë celsius. Bazuar në informacionet e grumbulluara nga specialistët dhe komisionet e emergjencave civile pranë institucionit të prefektëve dhe nënprefektëve, nga drejtuesit dhe përfaqësuesit e njësive të qeverisjes vendore, situata paraqitet e përmirësuar. Referuar të dhënave zyrtare, në qarkun e Shkodrës, rezultojnë që akset nacionale janë të kalueshme me zinxhirë. Rrugët nga aksi nacional për në qendrat e komunave, Shosh, Shalë, Pult, Iballë dhe Kelmend janë të bllokuara. Rruga për në qendrën e Komunës Qelzë është hapur me një mjet të kontraktuar nga komuna. Në Komunën Shosh është duke u punuar me një mjet për hapjen e rrugës, kurse për në qendrat e komunave të tjera, për momentin nuk ka mjete që punojnë për hapjen e këtyre akseve rrugore. Gjithashtu, dje përfundoi riparimi i defektit në linjën elektrike dhe do të furnizohet me energji zona e Malësisë të Madhe dhe Komuna Velipojë, të cilat aktualisht janë pa energji elektrike, për shkak të defektit të djeshëm. Sipas burimeve zyrtare, tri brigada të emergjencave elektrike të ardhura dhe nga rrethet e tjera kanë punuar për riparimin e defektit.
Qarku Kukës
Situatë gati e njëjtë paraqitet edhe në Qarkun e Kukësit. Sipas Qendrës Kombëtare të Emergjencave Civile, akset nacionale të rrugëve Morinë–Kukës–Qafë Shllak, Kukës–Krumë–Skatinë–B. Curri, Qafë Morinë-B. Curri–Fierzë janë të hapura, por mjetet qarkullojnë me zinxhirë. Aksi nacional Kukës Shishtavec është i qarkullueshëm me shumë vështirësi me zinxhirë, por deri në fshatin Novosej. Aksi Kukës–Peshkopi, i qarkullueshëm deri në Domaj, po punohet me një mjet për hapjen e rrugës së Rinisë, që lidh këtë aks rrugor. Vazhdojnë të jenë të bllokuara komunat Zapod, Shishtavec, Ujmisht, Bushtricë, Grykë Çaj, Arrën dhe Lekbibaj. Po shpërndajnë skorje dhe kripë në segmentet problematike 4 mjete transportuese. Në të gjithë qarkun nuk ka mungesë në furnizimin me energji elektrike. Ndërprerje ka vetëm në komunat Bushtricë e Kalis, që furnizohen nga Peshkopia, të cilat për shkak të një defekti në rrjet, që u riparua dhe po dje u rivendos furnizimi. Gjithashtu, mësohet se nuk ka probleme për medikamente mjekësore apo edhe nevoja të tjera.
Qarku Dibër
Edhe rrugët nacionale të Qarkut të Dibrës rezultojnë të jenë të hapura, por kalimi i mjeteve bëhet me zinxhirë. Gjithashtu, rrugët për në qendrat e komunave janë të hapura, por qarkullohet me vështirësi me zinxhirë. Rruga për në Komunën Lurë nga Peshkopia vazhdonte dje të ishte e bllokuar, por filloi punën për hapjen e saj. Megjithatë, sipas specialistëve, funksionon rruga tjetër nga Kurbneshi. Nuk bien reshje dëbore dhe qarkullimi i mjeteve për në komuna bëhet vetëm me zinxhirë. Rruga për në komunat e Xibrit dhe Macukullit është e hapur, por ngricat detyrojnë përdorimin e zinxhirëve.
Qarku Lezhë
Të dhënat zyrtare të raportuara nga shtabet e emergjencës në Qarkun e Lezhës thonë se rrugët nacionale janë të hapura. Aksi Kurbnesh-Lurë është i hapur deri në Kurbnesh dhe po punohet nga një mjet i Drejtorisë Rajonale për hapjen e rrugës deri në qendër të Komunës Lurë. Akset nga rrugët nacionale deri në qendrat e komunave janë të hapura, por kalimi bëhet me zinxhirë. Më problematikë janë disa fshatra në komunat e rrethit të Mirditës, si në Orosh dhe Kaçinar, të cilat janë të izoluara. Po bëhen përpjekje nga vetë komunat për hapjen e rrugëve komunale. Drejtoria e Rrugëve Rurale në varësi të Këshillit të Qarkut dhe komunat kanë mungesë mjetesh dhe fondesh për të ndërhyrë në zhbllokimin e rrugëve.
Qarku Tiranë-Elbasan-Korçë-Gjirokastër-Vlorë
Në Qarkun Tiranë raportohet se më problematikë janë disa fshatra në Komunën e Zall-Bastarit, të cilat janë të bllokuara nga dëbora. Priten të dërgohen ndihma ushqimore. Gjithashtu, në Komunën e Dajtit po punojnë dy mjete të ushtrisë për hapjen e rrugës nacionale Dajt-Shëngjergj. Ndërsa në Qarkun e Elbasanit nuk ka probleme në qarkullimin e mjeteve. Rrugët nacionale janë të kalueshme dhe gjithashtu dhe rrugët për në qendrat e komunave janë të kalueshme, por rekomandohet të vendosen zinxhirët. Në Qarkun e Korçës situata paraqitet pa probleme, por temperaturat janë të ulëta. Qafa e Thanës, Qafa e Plloçës dhe Qafa e Qarrit kalohen vetëm me zinxhirë. Rrugët nacionale në Qarkun e Gjirokastrës janë të hapura, por në Qafën e Muzinës kalohet vetëm me zinxhirë për shkak të ngricave. Edhe rrugët për në qendrat e komunave janë të hapura, por në zonën e Zagorisë kalimi bëhet me zinxhirë. Gjithashtu, rrugët nacionale janë të hapura edhe në Qarkun e Vlorës. Në Qafën e Llogorasë, qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.