E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen babë e bir, keqtrajtuan fqinjin

LIBRAZHD - Babë e bir u arrestuan të enjten nga policia e Librazhdit, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë tentuar të vrasin bashkëfshatarin e tyre pas një grindjeje për motive të dobëta. Burime zyrtare të policisë thanë se “Liman Dapeshi, 48 vjeç dhe djali i tij Iliri, 20 vjeç, banues në fshatin Gurakuq të rrethit të Librazhdit, u arrestuan pasi të mërkurën në mbrëmje plagosën me mjete të forta bashkëfshatarin e tyre Asllan Berberi”. Mësohet se 49-vjeçari Berberi ndodhet i shtruar në Spitalin e Librazhdit në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa babë e bir janë izoluar në qelitë e komisariatit të rrethit në pritje të hetimit për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë në bashkëpunim”.

Përmbyset zetori, vdes 33-vjeçari

PUKË – Një zetor ka dalë nga rruga duke sjellë vdekjen e menjëhershme të një 33-vjeçari me banim në qytetin e Pukës. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se shtetasi Roland Laçi është ndarë nga jeta si pasojë e një aksidenti automobilistik të mërkurën në mbrëmje. Viktima po udhëtonte me një automjet tip “Zetor” nga Puka drejt qytetit të Fushë Arrëzit, por për një moment ndodhi edhe përmbysja e mjetit. Burimet policore pohojnë se ende nuk janë zbardhur shkaqet e përmbysjes së zetorit. Aksidenti ku gjeti vdekjen Roland Laçi, ndodhi në vendin e quajtur Kroj i Zojës. Mjeti tip “Zetor” që drejtonte viktima, sipas policisë që shkoi në vendngjarje, ishte pa kabinë dhe pa targë. Pritet të zbardhen të gjitha detajet që shkaktuan aksidentin vdekjeprurës.

8 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›