E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen dy persona për vrasjen e 55-vjeçarit

ELBASAN- Vrasje apo vetëvrasje, tashmë do ta përcaktojnë ekspertët e hetimit shkencor në Tiranë atë çfarë ndodhi në qytetin e Peqinit dy ditë më parë. Në një deklarim zyrtar Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan akuzon se shtetasit Skënder Sina 56 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale të vrasjes, dhe Kujtim Met’hasa 54 vjeç, janë autorë të vrasjes së Ali Ibajt 55 vjeç, në lokalin në pronësi të familjes së tij. Sipas zëdhënëses Valbona Begu, “për zbulimin e këtij krimi u bashkëpunua me Prokurorinë e Elbasanit dhe nga strukturat e hetimit të krimeve të rënda në drejtorinë e policisë së Elbasanit dhe mbi bazën e hetimeve të kryera me metoda të avancuara rezulton se dy shtetasit e mësipërm janë autorë të ngjarjes së Ali Ibës me pistoletë”. Nga hetimet paraprake është arritur në përfundimin se autorët, pasi kanë vrarë 55-vjeçarin janë munduar të fshehin edhe provat. “Ndaj dy të arrestuarve rëndojnë akuzat e vrasjes me dashje në bashkëpunim, armëmbajtje pa leje dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ndërsa të dy këta shtetas ndodheshin në lokalin në pronësi të viktimës”. Megjithatë, mbeten ende enigmë rrethanat e kësaj vrasje. Sipas një versioni, dy autorët dhe viktima kanë qenë duke drekuar në lokal, pasi ishin shokë gjuetie prej kohësh. Por pas një grindjeje banale ai është ekzekutuar. Sipas versionit tjetër, Ali Ibaj mund të jetë vetëvrarë në kushtet e tronditjes së rëndë nervore, alibi që hidhet poshtë nga vetë policia, e cila deklaron se në këtë ngjarje janë fshehur prova, dhe një nga pistat e hetimit ka lidhje edhe me ngjarje të së kaluarës të familjes Ibaj. Një nga djemtë e tij u vra para pak vitesh në Itali, një proces i cili bëri jehonë jo vetëm në mediat vendase, por edhe në Shqipëri. Megjithatë, burime të policisë së Elbasanit nuk e kanë konfirmuar këtë fakt. Burime hetimore pohuan se gjatë marrjes në pyetje autorët nuk kanë pranuar të kenë lidhje me këtë ngjarje dhe kanë mohuar çdo akuzë të ngritur nga policia dhe prokuroria. Tashmë i mbetet ekspertimit shkencor që të vërtetojë se si ka ndodhur kjo ngjarje. F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›