E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen dy të mitur, akuzohen për falsifikim parash



Dy adoleshentë 15-vjeçarë u arrestuan në flagrancë, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëmoshatari i tyre, nën akuzën për veprën penale “falsifikim të monedhave”. Burime të Policisë lokale bëjnë të ditur për mediat se “sot në mëngjes u arrestuan në flagrancë shtetasit S. P. dhe E. Xh., të dy me banim në lagjen “5 Maji” në Elbasan, ndërsa u shpall në kërkim policor 16-vjeçari A. S., pasi në bashkëpunim me njëri- tjetrin kanë vënë në qarkullim një kartëmonedhë me prerje 500 lekëshe, që dyshohet të jetë e falsifikuar". Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për hetime të mëtejshme.

Elbasan

Arrestohet 29-vjeçari, akuzohet për vjedhje banese

Shtetasi Besnik Shabani, 29 vjeç, lindur dhe banues në lagjen Nr 3 Cerrik Elbasan u arrestua në flagrancë nën akuzën për veprën penale të “vjedhjes”, pasi dje, në orët e para të mëngjesit hapi me sende të forta derën kryesore të banesës në pronësi të shtetasit Xhevit Sharrës në fshatin Gjergjan ku vodhi monedha dhe bizhuteri floriri. Forcat e policisë kapën autorin, të cilit iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 200 euro, 74 mijë lekë, 1 varëse me 1 medalion dhe 2 byzylykë floriri, si dhe 1 automjet tip Opel Corsa me targa Italiane BZ 579537 në gjendje të rregullt, të vjedhura në banesën e 47-vjeçarit.

Durrës

Ndalohen dy turq, tentonin të kalonin me traget në Itali

Forcat e policisë portuale ndaluan mbrëmë dy shtetas nga Turqia, që tentuan me traget të udhëtonin drejt Italisë duke përdorur dokumente të falsifikuara. Burime zyrtare nga drejtoria rajonale e Policisë së Kufirit dhe Migracionit bënë të ditur se Mehmet Sahbaz dhe Davut Demirkapu u ndaluan gjatë kontrollit kufitar para nisjes me traget për në Bari (Itali). Të dy turqit vinin nga qyteti i Afyon-Emidag dhe në pasaportat e tyre turke kishin viza Shengen, përkatësisht franceze dhe gjermane, por sipas burimeve, vulat e vizave në pasaportë dyshohet të jenë të falsifikuara. Ndaj shtetasve turq është marrë masa e arrestit.

Tiranë

Banda e Cërrikut, gjykata shkresa ministrisë për avokatët

Në seancën e parashikuar për t’u zhvilluar dje mungonte një nga avokatët mbrojtës të të pandehurve, duke detyruar trupën gjyqësore të pezullojë procesin. Në këto kushte, Gjykata vendosi që t’i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë për marrjen e masës për avokatin që nuk ishte prezent në sallën e gjyqit. Në këtë proces gjykohen 9 persona, që akuzohen për vrasjen e 6 punonjësve të Gardës së Republikës dhe plagosjen e disa të tjerëve në vitin ‘97 në Cërrik. Të pandehurit janë: Llazar Bicja, Met Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skender Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani, Entel Gashi.

23 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›