E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, shtohen tre raste të reja, shkon në 34 numri i të prekurve



Shkon ne 34 numri i të prekurve nga gripi i derrave në vendin tonë. Kështu, 31 rasteve të konfirmuara më parë nga laboratorët e Rumanisë, i janë shtuar ditën e djeshme edhe tre raste të reja të infektuar nga virusi A/H1N1. Sipas Institutit të Shëndetit Publik dy prej të prekurve nga gripi i derrave janë nga Berati ndërsa një nga Tirana. Tre pacientët u paraqitën pak ditë më parë në spital me simptomat e gripit të derrave ndaj atyre iu morën kampionë të cilët u analizuan në laboratorin e Bukureshtit.
Tre të sëmurët ishin infektuar me virusin A/H1N1, por ndërkohë ata ishin mjekuar dhe kishin lënë spitalin pasi gjendja e tyre ishte përmirësuar. Ndërkohë që në vendet fqinje si Italia dhe Greqia situata shfaqet më problematike. Në Itali numri i viktimave nga gripi i derrit ka shkuar në 3 persona. Ndërsa Greqia shënon rastin e parë të të prekurve në shkolla. Një 16-vjeçare në qytetin e Selanikut rezultoi e infektuar me virusin AH1N1. Autoritetet shëndetësore greke janë vënë në alarm për shkak të frikës së përhapjes së shpejtë të virusit tek nxënësit e shkollave. Ky është rasti i parë i gripit të derrit në shkollat greke. 16-vjeçarja ka shfaqur temperaturë të lartë para disa ditësh dhe është vizituar në spitalin Gjenimatas të qytetit, ku edhe ka kryer analizat e posaçme, të cilat janë çuar në laboratorët e Universitetit Aristoteli të Selanikut. Rezultatet përfundimtare kanë konkluduar se nxënësja ishte infektuar me virusin A/H1N1 dhe mjekët këshilluan kurimin e saj në shtëpi, duke i dhënë dhe udhëzimet përkatëse. Menjëherë janë lajmëruar edhe nxënësit e tjerë dhe prindërit e tyre, por përderisa nuk ka pasur raste të tjera, këshilli i mësuesve ka vendosur që mësimi të vazhdojë rregullisht. Specialistët grekë kanë vendosur që një shkollë mund të mbyllet për 6 ditë nëse regjistrohen nga tre deri në pesë raste me gripin e derrit në të njëjtën klasë. Sipas statistikave zyrtare në Greqi janë regjistruar 2149 raste me gripin e derrit, 54 prej të cilave kanë shkaktuar pneumoni të rëndë.

23 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›