E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, prej disa ditësh aparatura për kryerjen e rezonancës jashtë funksionit



Emanuela Sako

Pavijoni i Neurologjisë në QSUT prej disa kohësh nuk kryen vizita të plota për pacientët që paraqiten në këtë spital. Shkak për këtë është bërë moskryerja e rezonancës, e cila ka bllokuar punën e mjekëve dhe ka vënë në vështirësi gjendjen shëndetësore të pacientëve. Burime nga Drejtoria e QSUT-së bëjnë të ditur se mungesa e kryerjes së rezonancës ka ardhur si pasojë e mungesës së filmave për vënien në punë të aparaturës. Firma kontraktuese për pajisjen me materialet bazë të aparaturës në këtë shërbim nuk ka kryer furnizimin me materialet mjekësore, e cila ka shkelur kontratën e lidhur me Drejtorinë e QSUT-së. Në të gjithë qendrën spitalore tenderat kanë përfunduar që në periudhën prill-maj dhe shpërndarja e medikamenteve dhe materialeve ka nisur që në muajin qershor. Aktualisht, Drejtoria e QSUT-së nuk ka marrë ende një zgjidhje konkrete të situatës.
Problemi
Firma ka bërë shpërndarjen e filmave vetëm një herë gjatë këtij viti, të cilat tashmë kanë përfunduar. Pas shpërndarjes së parë nuk është bërë më furnizimi i spitalit me filmat nga firma kontraktuese. Pajisja e aparaturës me filma është një domosdoshmëri për kryerjen e vizitave të personave me probleme neurologjike, e cila ka një kosto të lartë për personat e pasiguruar. Personat që kanë të pajisur me librezë shëndetësore paguajnë vetëm 2500 mijë lekë. Tashmë pacientët janë të detyruar të gjejnë zgjidhje personale për kryerjen e rezonancës, e cila duhet të përcaktohet më parë nga mjeku, për shkak të fluksit të madh të kërkesave. Ndërsa, ata janë të detyruar të drejtohen në shërbimin privat për të kryer një vizitë të tillë. Kryerja e vizitës në shërbimin privat ka një kosto tepër të lartë për pacientët, të cilëve nuk u hyjnë në punë librezat e sigurimit shëndetësor që ata paguajnë.
Situata
Përveç mungesës së filmave për kryerjen e rezonancës, Pavijoni i Neurologjisë është përballur me situata të tjera problematike gjatë këtyre muajve. Ky pavijon, që prej një viti ka nisur rikonstruksionin e godinës, e cila ka vënë në vështirësi pacientët. Ata trajtohen në kushte të vështira, për shkak të ndërtimeve që po bëhet në të gjitha pjesët e godinës. Në këtë pavijon, pacientët janë të detyruar të qëndrojnë në dhoma, që nuk ofrojnë kushtet e përshtatshme për një spital, i cili trajton pacientë me probleme të tilla shëndetësore. Në një dhomë mund të qëndrojnë 3 ose 4 pacientë. Por problemi më i madh qëndron se dhomat janë të kufizuara, sipas punimeve që kryhen me rikonstruksionin e godinës. Njëkohësisht, në këtë godinë nuk mund të ofrohen brenda standardeve të gjitha kriteret e kurimit të shëndetshëm, pasi mungojnë dhomat sterile për të njëjtën arsye, që kryhen punime. Një situatë e tillë mund të bëhet shkak për marrjen e infeksioneve të ndryshme në plagë, të cilat janë bërë “normale” për shkak të ekzistencës së tyre në sallat e operacioneve. Të gjitha këto probleme, çojnë në përkeqësimin e gjendjes së pacientëve.

23 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›