E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë e dënuara ekspozitë me 50 piktura



“Pa kufij” kanë menduar organizatorët ta titullojnë ekspozitën e vendosur në Muzeun Historik Kombëtar, ku janë paraqitur rreth 20 punime në pikturë e të tjera në qëndistari. Sipas Irena Çelës, drejtoreshë në IEVP, “nëpërmjet punimeve artistike, këto të dënuara kalojnë të gjitha kufijtë që i ndajnë nga bota e lirë. Përmes artit ato shprehin dhe janë në gjendje të jetojnë gjithçka që dëshirojnë, njëlloj si të tjerët”. Për plot 6 muaj këto gra kanë ndjekur një kurs pikture nën udhëheqjen e piktores Rivelina Temo. Ky kurs i zhvilluar në formën e një terapie arti, është realizuar në kuadër të aktiviteteve të projektit “Art në burg “ të mundësuar nga shoqata “Përthyerje”. Ky projekt i cili është përmbyllur me realizimin e këtij aktiviteti, kishte si qëllim parësor përmirësimin e jetës sociale të grave të dënuara. Udhëheqësja e tyre Rivelina Temo shprehet e kënaqur me punët e paraqitura në këtë ekspozitë, pasi siç shprehet ajo “këto gra kanë punuar për rreth 6 muaj si artiste të vërteta”.

Vlorë

Në dy vjet, 515 çështje pronësie në gjykatë

Në dy vitet e fundit në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë ndër 515 padi të dorëzuara dhe në shqyrtim me objekt zgjidhjen e konflikteve për çështje të pronësisë, që rezultojnë më të pakta krahasuar me vitet e mëparshme, kanë përfunduar deri tani 300 çështje gjyqësore. Burime zyrtare të gjykatës bënë të ditur dje për mediat se në proceset gjyqësore përfshihen padi me objekt kontratat e blerjes, dhurimit, trashëgimit të pronës, vendimet e njohjes nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, etj.
Paditë me objekt zgjidhjen e konflikteve të pronësisë zënë rreth 60 për qind të çështjeve në këtë institucion. Krahas tyre, gjatë dy viteve të fundit janë shqyrtuar 12 çështje me subjekt personat që ushtrojnë një funksion në administratën publike, që kanë konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës, që parashikohet në nenin 248 të Kodit Penal si dhe 2 çështje për veprën penale të mitmarrjes, që kanë përfunduar me shpalljen fajtor të personave të akuzuar.

23 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›