Djegia e mbeturinave, probleme në Vlorë e Lushnjë
Djegia e mbeturinave në vende të pacaktuara është bërë një problem për qytetet e vendit. Problemi i hedhjes së mbeturinave urbane në Vlorë vijon prej vitesh. Aktualisht masivët e mbeturinave dhe djegia e tyre bëhet në periferi të qytetit të Vlorës, në vendin e njohur si Jalli e Nartës, fare pranë zonës së banuar. Zona në fjalë ka ndotje mjaft të lartë, ndërkohë që në momentet e djegies së mbeturinave vuan edhe qyteti i Vlorës. Sipas nënkryetarit të Bashkisë së Vlorës Halim Dervishi është gati një projekt për ndërtimin e një landfilli, por mungojnë fondet. E njëjta situatë paraqitet edhe në komunën Tërbuf në Lushnjë, ku çdo ditë banorët vazhdojnë të përballen me mbeturinat urbane. Për këtë problem shpesh ata kanë protestuar kundër hedhjes së mbeturinave në fshatin e tyre, por deri tani asnjë masë nuk është marrë. Në këtë zonë, prej pesë vjetësh hidhen plehrat e qyteteve Kavajë, Rrogozhinë, Komunës Golem dhe Gosë. Komuna ka rreth 12 mijë banorë dhe ata thonë se në rast se nuk gjendet një rrugëzgjidhje do të bllokojnë autostradën ose nuk do të çojnë fëmijët në shkollë. Shpesh herë tymi mbulon të gjithë zonën, ndërsa banorët shprehen se për ta është bërë e pamundur jetesa natën, ku për shkak të erës së rëndë të plehrave që digjen kanë vështirësi në frymëmarrje.
Dita ndërkombëtare pa makina, aktivitete në kryeqytet
Ministria e Mjedisit në bashkëpunim dhe me organizatat e tjera mjedisore, zhvilloi dje aktivitetin “Një Ditë pa Makinën Time”. Tashmë i kthyer në traditë për vendin tonë, evenimenti i djeshëm u konceptua më shumë si një ndërgjegjësim për qytetarët në mbrojtjen e mjedisit. Përdorimi i përditshëm i makinave shkakton mjaft dëme në mjedis për shkak të ndotjes së ambientit nga gazi i dëmshëm që lëshohet në mjedis. Aleksandër Garuli zëvendësministër i Mjedisit u shpreh gjatë këtij aktiviteti se mbrojtja e mjedisit është një nevojë për shëndetin e njeriut. “Mbrojtja e mjedisit është një nevojë për shëndetin e njeriut. Në këtë ditë duhet të përdorim më shumë linjat urbane dhe biçikletat për të mbrojtur atë vend në të cilin jetojmë”,- theksoi Garuli. Kësaj nisme të ndërmarrë nga Ministria e Mjedisit iu bashkuan dhe Shoqata e çiklistëve të cilët lëvizën së bashku me qytetarët në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
23 Shtator 2009