Arrestohen dy të rinj nga Shijaku, grabitën me armë 15 mijë lekë në pikën e basteve
DURRËS – Dy të rinj kanë hyrë në një pikë bastesh sportive, duke kërkuar për të plotësuar një biletë, por më pas, kanë nxjerrë armët dhe kanë marrë me dhunë 150 mijë lekë. Por, vetëm disa orë pas grabitjes ata janë arrestuar nga policia. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se prangosja e tyre u bë mbrëmë, rreth orës 20.00 në qytetin e Shijakut. Sipas tyre, personat e ndaluar janë shtetasit Dorjan Shaba, 23 vjeç dhe Mariglen Gjoka, 21 vjeç, që të dy lindur dhe banues në fshatin Sallmone, në periferi të qytetit të Shijakut. Zëdhënësja e Policisë së Qarkut sqaron se ditën e djeshme në mesditë, rreth orës 14.30, në bashkëpunim me njëri- tjetrin, dy të rinjtë kanë shkuar në qendër të qytetit të Shijakut, në lokalin “Euro Best”, në pronësi të shtetasit Bilbil Xhango, 55 vjeç dhe pasi kanë plotësuar disa skedina sportive, nën presionin e armëve kanë grabitur një shumë parash prej 150.000 lekësh. Para se të largoheshin, të rinjtë kanë ushtruar dhunë ndaj Xhangos, i cili është dërguar menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Pas denoncimit të mbërritur në polici, Seksioni për Krimet Kundër Pronës, në bashkëpunim me efektivat e komisariatit të Shijakut bënë të mundur arrestimin në flagrancë të autorëve të kësaj ngjarje. Burimet policore shtojnë se po vazhdon puna për zbardhjen e plotë të grabitjes, dhe pritet që materialet ti kalojnë organit të akuzës për hetime të mëtejshme. Sipas njoftimit zyrtar, shtetasit Dorjan Shaba dhe Maringlen Gjoka pritet të akuzohen për veprën penale të “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim”.
22 Tetor 2009