Pedagogët, Tafaj pranon të shqyrtojë udhëzimin për orët mësimore
Jonida Tashi
Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka pranuar të shqyrtojë udhëzimin për ngarkesën mësimore të pedagogëve, i cili është kundërshtuar nga trupa pedagogjike e universiteteve. Pas kërkesës së bërë së fundmi nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, për rishikimin e këtij udhëzimi, Tafaj ka vendosur ta shqyrtojë atë për të marrë më pas edhe vendimin final për këtë çështje. Deri në marrjen e vendimit të ri për ngarkesën mësimore, qindra pedagogë jo vetëm të Universitetit të Tiranës, do t’i shtyjnë ditët e punës me një mbingarkesë orësh në auditorë, falë udhëzimit që Ministria e Arsimit ka lëshuar për të dytin vit radhazi “Për veprimtarinë e personelit akademik në institucionet publike të arsimit të lartë”. Konvertimi i mësimdhënies së normuar vjetore në orë mësimore është një nga pikat kryesore që pedagogët kundërshtojnë në këtë udhëzim, e cila sipas tyre, është tepër abstrakte.
Odiseja
Udhëzimi aktual për ngarkesën mësimore të pedagogëve është firmosur nga ish-paraardhësi i Fatos Bejës, në Ministrinë e Arsimit, Genc Pollo, në maj të vitit 2008, ndërsa zbatimi i tij në praktikë u vë në jetë në vitin akademik 2008-2009. Menjëherë pedagogët ngritën zërin për kundërshtimin e tij, pasi puna e tyre si orë kohore nuk mund të koeficentohej me asnjë shifër, për të nxjerrë se sa kohë ata duhet të qëndronin në auditor e për rrjedhojë edhe me sa lekë do të paguheshin. Megjithë përpjekjet e drejtuesve të universiteteve për të gjetur një zgjidhje me ministrin e Arsimit të asaj kohe, Genc Pollo, asgjë nuk u arrit të realizohej, kjo aq më tepër për arsye se pak më shumë se një muaj pas nënshkrimit të udhëzimit, Pollo la postin e dikasterit të Arsimit. Kështu, pas largimit të Pollos nga Ministria e Arsimit dhe zëvendësimit të tij nga Fatos Beja, në ditët e para të muajit korrik të vitit 2008, krerët e universiteteve nuk nguruan t’i kërkonin atij rishikim të udhëzimit për ngarkesën mësimore të pedagogëve. Por edhe këtë herë nuk u arrit asnjë rezultat, megjithëse fillimisht u duk sikur ish-ministri i Arsimit, Fatos Beja do të merrte në dorë zgjidhjen e situatës. Tashmë, me ardhjen ish-këshilltarit të kryeministrit për Arsimin, në krye të Ministrisë së Arsimit, universitetet i kanë kërkuar Tafajt që të rishikojë udhëzimin e shumëpërfolur në trupën pedagogjike, duke gjetur edhe një zgjidhje për këtë problem.
Udhëzimi
Nëse edhe ministri i fundit i Arsimit, që ka lejuar fillimisht zbatimin e këtij udhëzimi gjatë vitit 2009-2010, nuk do ta shfuqizojë atë, pedagogëve edhe gjatë vitit të ri akademik, do t’u zihet “fryma” nga ngarkesa mësimore në auditorë. Në fillim të vitit akademik, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, urdhëroi universitetet që të zbatonin udhëzimin e vjetshëm “Për veprimtarinë e personelit akademik në institucionet publike të arsimit të lartë”. Në udhëzimin nr.20, datë 09.05.2008 “Për veprimtarinë e personelit akademik në institucionet publike të arsimit të lartë”, është detajuar mësimdhënia e normuar vjetore për trupën pedagogjike në arsimin e lartë. Udhëzimi përcakton se sa orë mësimore duhet të kryejnë pedagogët për një vit në fakultet sipas titujve që ata kanë. Gjithashtu, udhëzimi detajon edhe shifrat se si do të vlerësohet puna e tyre me studentët në orë mësimore. Këto të fundit, edhe gjatë vitit akademik 2009-2010 do të jenë 60 minuta. Mësimdhënia e normuar vjetore, për personelin akademik me kohë të plotë në fakultete, do të organizohet me jo më pak se 6 orë mësim në auditor për çdo javë mësimore të vitit akademik. Mund të përjashtohen nga ky rregull deri 5 për qind e personelit akademik të fakulteteve, sipas rregullave të përcaktuara në rregulloren e organizimit të tij. Këto përjashtime do të vlerësohen rast pas rasti dhe miratohen në mbledhjen e Këshillit të Fakultetit, mbi bazë të propozimeve të departamenteve. Nga rregulli do të përjashtohet personeli akademik i instituteve dhe qendrave të kërkimit e zhvillimit.
Mësimdhënia e pedagogëve, 750–1050 orë mësimore për një vit
Mësimdhënia e pedagogëve, që përfshin edhe mësimdhënien e normuar vjetore dhe veprimtaritë për përgatitjen e mbështetjen e procesit të mësimdhënies, për personelin akademik me kohë të plotë në fakultete, do të vlerësohet gjithsej 750–1050 orë mësimore, që i korrespondon 50-70 për qind e të gjithë fondit të kohës vjetore të punës. Çdo anëtar i personelit akademik me kohë të plotë në universitetet publike duhet të përmbushë detyrimet për kohën vjetore të punës me 192 ditë pune (1536 orë), përcaktuar kjo kohë sipas kërkesave në Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, si dhe aktet nënligjore në zbatim të tij. Për veprimtaritë e personelit akademik me kohë të plotë në universitetet publike mund të bëhen planifikime vjetore në përqindje të ndryshme nga ato të treguara në këtë udhëzim, në mënyrë të argumentuar dhe duke respektuar plotësimin e detyrimit për kohën vjetore të punës dhe mësimdhënien e normuar vjetore. Organizimi i kohës vjetore të punës dhe programimi i saj në veprimtaritë e ndryshme përbërëse, për çdo anëtar të personelit akademik, formalizohet nëpërmjet një marrëveshjeje vjetore ndërmjet përgjegjësit të njësisë bazë dhe anëtarit të personelit akademik. Personeli akademik me kohë të plotë në universitetet publike mund të tejkalojë normën vjetore për mësimdhënie deri në masën 30%, pasi të ketë plotësuar të gjitha detyrimet e kohës vjetore të punës. Por tejkalimi i paguar mbi 30% i mësimdhënies së normuar vjetore mund të bëhet vetëm për nevoja të institucionit dhe me miratim nga ministri i Arsimit. Për personelin akademik të ftuar në njësitë kryesore të universiteteve publike mësimdhënia e normuar vjetore duhet të jetë deri në 150 orë mësimore në vit, apo 150 orë punë vjetore për veprimtari të kërkimit apo krijuese.
Pjesë nga udhëzimi që është në fuqi për ngarkesën mësimore
Konvertimi i mësimdhënies së normuar vjetore në orë mësimore
Elementët e mësimdhënies së normuar vjetore, konvertohen në orë mësimore si më poshtë:
1 orë leksion 1.5 orë mësimore
1 orë ushtrime/seminare 1.0 orë mësimore
1 orë laborator 0.8 orë mësimore
1 orë praktikë mësimore / profesionale 0.5 orë mësimore
1 orë mësim shoqërimi në Akademinë e Arteve 0.5 orë mësimore
Vlerësimi në orë për veprimtaritë mbështetëse
Disa nga elementet e veprimtarive për përgatitjen dhe mbështetjen e procesit mësimor dhe veprimtarive për kërkim, njehsohen në orë mësimore si vijon:
Provime/mbrojtje teze diplome 0.4/0.5 orë mësimore/student;
Udhëheqje teze diplome cikli I/II 15/30 orë mësimore/diplomë;
Udhëheqje teze diplome master niveli I/II 15/30 orë mësimore/diplomë;
Udhëheqje teze doktorate 90 orë mësimore/vit;
Udhëheqje e projekteve të lëndëve 2 orë mësimore/projekt;
Udhëheqje e detyrave të lëndëve 0.5 orë mësimore/detyre;
Përgatitje shfaqjeje, ekspozite, gare 10-30 orë mësimore/shfaqje;
Kontrolle të pjesshme të programuara të dijeve 0.3 orë mësimore/student;
Recensë teze diplome cikli I/II 5/10 orë mësimore/recensë;
Recensë teze diplome master niveli I/II 5/10 orë mësimore/recensë;
Oponencë teze doktorate 20 orë mësimore/oponencë
Konsultime të programuara deri 20% e orëve në auditor për leksione, ushtrime e seminare.
22 Tetor 2009