E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD përcakton pikat ku do prekë reforma në gjyqësor



Laureta Rryçi

TIRANË - Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur pikat kryesore të cilat do të preken nga reforma në gjyqësorë. Sipas kësaj strategjie pritet të ndryshojë sistemi i vlerësimit të gjyqtarëve , por, edhe disa procedura të tjera, të cilat mendohet se do të përmirësojnë imazhin e gjyqësorit. Këshilli i Lartë i Drejtësisë zhvilloi dje një takim konsultativ me përfaqësues dhe ekspertë të misioneve ndërkombëtare në Shqipëri, për të prezantuar politikat e Këshillit mbi ri-organizimin e sistemit gjyqësor pas daljes së dekretit të Presidentit të Republikës. Këshilli, gjatë këtyre ditëve, ka përcaktuar numrin e ri të gjyqtarëve në çdo gjykatë të shkallës së parë dhe apelit. Pjesë integrale e këtij prezantimi ishte shkëmbimi i ideve dhe paraqitja e sugjerimeve të përshtatshme nga ekspertët e huaj mbi këtë qëndrim të Këshillit. Në takimin e djeshëm, zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Zoti Kreshnik Spahiu bëri publike politikën që Këshilli ka vendosur të ndjekë për rritjen e performancës së gjykatave. Kjo do të bëhet nëpërmjet një procesi, i cili, paralelisht vlerëson edhe rregullimin e situatës së re që krijohet në shumicën e gjykatave.
Riorganizimi
Numri dy i KLD-së, Kreshnik Spahiu, vuri në dukje se riorganizimi i sistemit për shkak të ndryshimit të numrit të gjyqtarëve në shumë gjykata të shkallës së parë dhe apelit, është një moment historik për sistemin gjyqësor dhe se ky proces duhet të japë efekt pozitiv në drejtim të rritjes së dy komponentëve: cilësisë së gjykimeve dhe shpejtësisë së tyre. Pas prezantimit të detajuar të metodologjisë dhe kritereve specifike mbi lëvizjen e gjyqtarëve, dhanë opinionet e tyre mbi këto çështje ekspertët ndërkombëtarë të pranishëm në takim, si nga: Komisioni Europian, EURALIUS, OSBE, USAID dhe OPDAT. Këto opinione, u theksua se, do të vlerësohen maksimalisht nga Këshilli, së bashku me mendimet, tashmë, të komunikuara nga të gjitha gjykatat dhe shoqatat e gjyqtarëve, nga takimet konsultative të realizuara për të njëjtin qëllim.
Reforma
Sipas deklaratës së Spahiut, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mban parasysh rëndësinë e një procesi të vazhdueshëm konsultimi, duke evidentuar se të gjitha mendimet dhe sugjerimet e paraqitura janë të vlefshme dhe do t’i shërbejnë finalizimit të një politike nga Këshilli, politikë e cila synon të jetë varianti më i mirë ligjor për të rritur si performancën e gjykatave, si dhe për të konsideruar nevojat e gjyqtarëve. Më tej, u bë publike se KLD-ja ka gjykuar të ndërhyrë disa procedura që janë të përditshme në punë e gjyqtarëve. Një nga këto është dhe rastet kur një gjyqtar mund të japë dorëheqjen. Sipas Spahiut, vitet e fundit në gjykatat shqiptare numërohen dhjetëra raste kur gjyqtarët kanë dhënë dorëheqjen nga dosja pa pasur një arsye bindëse dhe, mbi te gjitha, argumente ligjore. “Ne pretendojmë që me anë të këtij riorganizimi të rrisim cilësinë në gjykime, këtu jemi për të gjetur gjyqtarët më të mirë të sistemit tonë, pasi cilësia do të rritet pikërisht me këta gjyqtarë”, - tha dje Spahiu. Me shumë prioritet po shihet sistemi i karrierës për gjyqtarët. Një dosje më vete për secilin prej tyre do të ndihmonte që Këshilli të jepte vendime më të drejta mbi përzgjedhjen e kandidaturave kur bëhet fjalë për vende bosh. Ky takim do të pasohet nga konsultimet që do të zhvillohen ditën e sotme. Reforma në drejtësi është ndër kushtet kryesore të Shqipërisë për të përshpejtuar procesin e integrimit. Por, problemet që ka pushteti gjyqësor kanë qenë në shënjestër të kritikave të BE-së në raportin më të fundit të progresit, i cili u publikua më 14 tetor të këtij viti.

Ekstradohet nga Italia pas 12 vjetësh i dënuari për vrasje, u arratis nga burgu në vitin 1997

TIRANË - Ka marrë fund arratia 12-vjeçare në Itali, pas largimit nga burgu në kohën e trazirave dhe tashmë, ai është kthyer i prangosur në Shqipëri, ku do të kryejë vitet e dënimit që i kanë mbetur. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se “Interpol Tirana ekstradoi nga Italia shtetasin Zenel Brahimetaj, i dënuar me 25 vite burg për vrasje. Sipas tyre, 51-vjeçari Brahimetaj është sjellë në pranga dje, rreth orës 17.20 në Aeroportin e Rinasit nga autoritetet italiane. Shtetasi Zenel Sherif Brahimetaj, lindur në Beter e Madhe të rrethit të Matit dhe banues në Durrës, është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat, me vendimin Nr. 90, datë 11.12.1992 e ka dënuar me 25 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje” dhe “Vrasjes së mbetur në tentativë”. Krimi për të cilin shtetasi Zenel Brahimetaj është deklaruar fajtor, ka ndodhur më datë 01.05.1992, rreth orës 08:30, ku ai ka vrarë me armë zjarri shtetasin Muharrem Brahimeta dhe ka tentuar të vrasë dy vëllezërit e viktimës, pas një sherri banal në lidhje me prishjen e një gardhi që ndante tokat e dy familjeve. Në mars të vitit 1997, shtetasi Zenel Brahimetaj është larguar nga burgu për shkak të trazirave dhe më pas ka emigruar në mënyrë klandestine në Itali, ku ka qëndruara deri në momentin e kapjes nga agjentët e Interpolit. “Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën më datën 17.08.2009, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Zenel Sherif Brahimetaj”, - thonë burimet zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilat shtojnë se ditën e djeshme në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, ky shtetas iu është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

22 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›