Formulari A3, në ditën e parë të shpërndarjes, tërhiqen 3500 vetëm në Tiranë
Jonida Tashi
Fluks kërkesash nga të rinjtë kryeqytetas për të tërhequr formularin A3 në Drejtorinë Arsimore të Tiranës. Vetëm në ditën e parë të shpërndarjes së këtij formulari që ka qenë ajo e djeshme, pranë Drejtorisë Arsimore të Tiranës deri në drekë janë paraqitur rreth 3500 kandidatë që duan të bëjnë plotësimin e tij. Sipas të dhënave zyrtare, të publikuara nga kjo drejtori, deri ditën e djeshme, formularin A3 e kanë tërhequr rreth 440 kandidatë, të cilët kërkojnë të ndryshojnë degën e tyre, dhe 3000 të tjerë që duan të regjistrohen në universitetet publike të Tiranës. Numri i të rinjve që duan të fitojnë universitetin dhe gjatë raundit të tretë të pranimeve pritet të jetë tepër i lartë. Në ditët e fundit të muajit tetor, interesimi i kandidatëve për të plotësuar formularin A3 ka qenë tepër i lartë. Këtë e tregojnë dhe shifrat që konfirmohen nga Drejtoria Arsimore e Tiranës. Ndërkohë që një numër i konsiderueshëm formularësh A3 është tërhequr edhe nga maturantët në rrethe. Të gjithë të rinjtë që nuk kanë fituar një vend në auditorët e universiteteve publike, mund të kenë shansin të shpallen fitues duke plotësuar formularin A3, për 2257 kuotat e mbetura bosh dhe 600 të tjera të miratuara nga qeveria.
Afati
Dita e parë e javës që vjen, do të jetë afati i fundit i dorëzimit të formularit A3 për pranimet në raundin e tretë. Në udhëzimin për plotësimin e vendeve të mbetura bosh në universitete nga faza e dytë e pranimeve, Ministria e Arsimit ka vendosur që kandidatët pasi ta plotësojnë, duhet ta dorëzojnë formularin A3 po në DAR/ZA deri më 26 tetor 2009. Tri ditë pas mbylljes së procesit të plotësimit e dorëzimit të formularit A3, Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL), do të shpallë në datën 30 tetor 2009 listën përfundimtare të kandidatëve fitues të ndarë, sipas programeve të studimit përkatës, të renditur, sipas rendit zbritës të pikëve dhe të preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në formularin A3, në përputhje me kuotat e rishpërndara. Një ditë më pas, universitetet publike, do të shpallin në vende të dukshme, në mjediset e tyre, datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit/çregjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për regjistrim, si edhe të dhëna të tjera që i gjykojnë të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, në universitetet publike.
Regjistrimi
Regjistrimi i kandidatëve fitues të kësaj faze do të bëhet pranë sekretarive mësimore të universiteteve në datat 1, 2, 3 dhe 4 nëntor 2009, nga ora 8.00 deri në orën 18.00. Për regjistrim, kandidati të dorëzoje dosjen individuale, me dokumentet origjinale të mëposhtme: Dëftesë pjekurie (në mungesë, vërtetim note me fotografi, të nënshkruar nga drejtori i shkollës e nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale (drejtori i Zyrës Arsimore), si edhe dokument të lëshuar nga Arkivi i Shtetit; Dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit; në mungesë të tyre, kandidati dorëzon certifikatë personale me fotografi; 2 fotografi; Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekë; Për kandidatët e regjistruar më parë një degë, vërtetimi i çregjistrimit nga programi i mëparshëm i studimit. MASH-i sqaron kandidatët që do të shpallen fitues gjatë kësaj faze se tarifa e regjistrimit prej 1500 lekë, e arkëtuar nga kandidati për regjistrimin përfundimtar të fazës së dytë të regjistrimeve në universitete do të kalojë me xhirim nga llogaria e Degës së Thesarit, ku universiteti ka llogarinë buxhetore, në llogarinë e Thesarit të universitetit, në të cilin është realizuar regjistrimi përfundimtar i fazës së tretë të regjistrimeve.
22 Tetor 2009