E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia gati të emërojë ambasadorin në Kosovë



Ministria e Jashtme e Maqedonisë ka njoftuar se së shpejti do të fillojë procedura për emërimin e ambasadorit të Maqedonisë në Kosovë. Qeveria ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme do të fillojë firmosja e marrëveshjeve dypalëshe mes Shkupit dhe Prishtinës, të cilat i hapin rrugën thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe atij tregtar, por edhe marrëveshjeve në fusha të tjera midis dy vendeve fqinje. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Shefik Duraku është shprehur se marrëveshja e parë që pritet të nënshkruhet javën e ardhshme do të jetë ajo ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë së Maqedonisë me Ministrinë së Ekonomisë dhe Energjetikës të Kosovës. Duraku ka thënë se marrëveshja e dytë duhet të jetë ndërmjet Ministrive të Punës dhe Politikës Sociale. “Ka një interes të veçantë për tregun kosovar, për shkak se vetëm në pjesën e derivateve të naftës që furnizohet Kosova, Maqedonia në vit realizon të ardhura diku mbi 200 milionë euro”,- ka thënë Duraku. Ai ka shtuar se në të ardhmen, Maqedonia dhe Kosova pritet të realizojnë projekte të përbashkëta në fushën e energjetikës dhe se janë duke u shqyrtuar mundësitë e investimit të Maqedonisë në energjetikën kosovare. Ndërkohë, gjatë një vizite në Slloveni, kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, e ka vlerësuar si shumë pozitiv demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Ai i ka bërë këto komente në Lubjanë, pas takimit me kryeministrin slloven, Borut Pahor, i cili është kryetar i Partisë Socialdemokrate të Sllovenisë. “Sa u përket reagimeve të Serbisë, ato për mua ishin të pritshme”,- ka deklaruar Cërvenkovski, duke shtuar se Beogradi duhet “ta pranojë faktin se pasi Maqedonia e njohu pavarësinë e Kosovës, herët apo vonë do të pasonte marrëveshja rreth kufirit”. Cërvenkovski ka thënë se është shumë e rëndësishme që me këtë rast “nuk janë shkaktuar vështirësi në marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë”. Ish-presidenti Cërvenkovski ka shprehur bindjen se “demarkacioni i kufirit dhe njohja e Kosovës do të ndikojnë shumë pozitivisht te të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, ku 25 për qind janë shqiptarë.
Dy ditë më parë presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu dekretoi themelimin e misionit diplomatik në nivel ambasade në Republikën e Maqedonisë. Selia e Ambasadës do të jetë në Shkup.
Dekretimi është bërë duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës dhe pas konsultimit me kryeministrin e Republikës së Kosovës.

Kosovë, nis rekrutimi i agjentëve sekretë

Mediat kosovare informojnë se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Aki ka hapur konkurs për punësimin e atyre që do të angazhohen në mbledhjen e informatave për nevojat e Agjencisë. Informatat kanë të bëjnë me kërcënimet ndaj sigurisë, integritetit dhe sovranitetit territorial, integritetit të institucioneve shtetërore, rendit kushtetues dhe ligjshmërisë, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Bashkim Smakaj, drejtor i AKI-t, i cituar nga media kosovare ka thënë se seleksionimi do të bëhet në bazë të nevojave të Agjencisë dhe përgatitjeve të kandidatëve.

22 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›