Universitetet, miratohen kuotat dhe tarifat për Masterin e Nivelit të Dytë
Jonida Tashi
Miratohen kuotat dhe tarifat e studimit për Masterin e Nivelit të Dytë, në universitetet publike të vendit. Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave, qeveria ka ka vendosur që kuota e pranimit në programet e studimeve “Master i Nivelit të Dytë” (MND), për vitin akademik 2009-2010, të jetë 1 615. Sipas vendimit të qeverisë, kuota totale e masterit njëvjeçar, do të ndahet në 1 565 kuota për kandidatët shqiptarë, nga të cilat 10 për qind në kuotën e çdo programi studimi janë për studentët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe 50 kuota për studentët e huaj.
Ndarja
Më tej, kuota e përgjithshme për kandidatët shqiptarë do të shpërndahet në institucionet publike të arsimit të lartë dhe programet përkatëse të studimit. Ndërsa kuota për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë do t ë administrohen nga Ministria e Arsimit, sipas kërkesave të institucioneve përkatëse zyrtare të këtyre trojeve. Kuotat e pranimit të shtetasve të huaj, në programet e studimit MND, në institucionet publike të arsimit të lartë, të Republikës së Shqipërisë, administrohen nga Ministria e Arsimit, në bazë të marrëveshjeve me vendet përkatëse dhe të kërkesave të vetë kandidatëve. Studentët që do të ndjekin këtë vit masterin njëvjeçar në universitetet publike të vendit do të paguajnë të njëjtën tarifë shkollimi, pavarësisht degës dhe universitetit të zgjedhur.
Tarifa
Qeveria ka vendosur tarifë unike studimi për Masterin e Nivelit të Dytë gjatë vitit akademik 2009-2010, ndryshe nga propozimet e vitit të kaluar, ku taksa e shkollimit përcaktohej në varësi të degës dhe universitetit. Konkretisht, tarifa e shkollimit, për studentët e regjistruar në MND, në vitin akademik 2009-2010, do të jetë është 100 mijë lekë. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife shkollimi, që likuidohet në këste të caktuara nga fakulteti përkatës. Studentët nga Republika e Shqipërisë, që kanë kryer me rezultate të shkëlqyera ciklin pararendës të studimeve, nuk e paguajnë tarifën e shkollimit. Në fund të vendimit për kuotat dhe tarifat e shkollimit për Masterin e Nivelit të Dytë, qeveria ka bërë një ndryshim të vogël në pikën 3, të vendimit Nr.829, datë 29.7.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për hapjen e programeve të studimeve “Master i Nivelit të Dytë”, në Fakultetin e Muzikës, të Akademisë së Arteve, dhe miratimin e kuotave dhe tarifave për këto programe”, duke shtuar paragrafin, me këtë përmbajtje: “Kuota e pranimit në programin e studimeve ‘Master i Nivelit të Dytë’, në ‘Interpretim’, është 40. Dy kuota prej tyre caktohen për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës”.
Shkencat e Natyrës
Hapet Master i Nivelit të Dytë, në Kimi dhe Kimi industriale e mjedisore
Hapen dy programe Master i Nivelit të Dytë, në Kimi dhe Kimi industriale e mjedisore, në Fakultetin e Shkencave Natyrore, të Universitetit të Tiranës. Vendimi është marrë dje nga qeveria, në të cilin janë detajuar edhe profilet që do të kenë programet e miratuara së fundi. Konkretisht profili i masterave do të jetë: në Kimi, masteri do të jetë me profil “Elektrokimia e korrozionit dhe dukuritë sipërfaqësore”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i nivelit të dytë”, MND, në Kimi, me drejtim “Elektrokimia e korrozionit dhe dukuritë sipërfaqësore”; “Kimi industriale e mjedisore”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i nivelit të dytë”, MND, në kimi industriale e mjedisore. Programet e studimit “Master i Nivelit të Dytë” realizohen me 60 kredite dhe kohëzgjatja normale është një vit. Këto programe studimi ta fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2009-2010.
Doktoratura
Hapen studimet te Gjuhët e Huaja dhe Shkencat e Natyrës
Miratohen 10 programe studimi të ciklit të tretë për të dy fakultetet
Hapen studimet e Doktoraturës në dy prej fakulteteve të Universitetit të Tiranës, që janë Gjuhët e Huaja dhe Shkencat e Natyrës. Qeveria ka miratuar dje 137 kuota pranimi për këto studime pranë fakulteteve të mësipërme, të cilat janë ndarë 65 për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ndërsa 72 për Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Kohëzgjatja e programeve të studimeve të Doktoratës është, të paktën, 3 vite dhe përfshin edhe 60 kredite për studime të organizuara. Për çdo program studimi, 10 për qind e kuotave, caktohet për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe administrohet nga Ministria e Arsimit, sipas kërkesave të institucioneve përkatëse zyrtare të këtyre trojeve. Tarifa e shkollimit për këtë studime do të jetë 200 mijë lekë. Ajo do të likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga fakulteti përkatës. Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, të Universitetit të Tiranës, janë hapur programet e studimeve, të ciklit të tretë, të Doktoratës, si më poshtë vijon: Doktoratë në “Shkenca gjuhësore”, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr), në Shkenca Gjuhësore”; Doktoratë në “Letërsi botërore”, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr) në Letërsi Botërore”. Në Fakultetin e Shkencave Natyrore, të Universitetit të Tiranës, janë hapur programet e studimeve, të ciklit të tretë, të doktoratës, si më poshtë vijon: Doktoratë në “Fizikë”, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr), në Fizikë”; Doktoratë në “Analiza kimike e lëndës dhe mjedisit”, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr) në Analiza Kimike të Lëndës dhe Mjedisit”. Doktoratë në “Elektrokimi e zbatuar dhe dukuritë sipërfaqësore”, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr), në Elektrokimi të Zbatuar dhe Dukuritë Sipërfaqësore”; Doktoratë në “Teknologjia dhe mikrobiologjia e ushqimeve & vlerësimi i sigurisë dhe cilësisë”, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr) në Teknologjia dhe Mikrobiologjia e Ushqimeve & Vlerësimi i Sigurisë dhe Cilësisë”; Doktoratë në “Proceset e trajtimit kimik të lëndëve të para natyrore dhe të mbeturinave industriale e urbane”, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr) në Proceset e Trajtimit Kimik të Lëndëve të Para Natyrore dhe të Mbeturinave Industriale e Urbane”; Doktoratë në “Biologji Molekulare”, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr) në Biologji Molekulare”; Doktoratë në “Biologji e Ruajtjes”, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr) në Biologji e Ruajtjes”; Doktoratë në Bioteknologji Bimore, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr) në Bioteknologji Bimore”.
Kuotat e pranimit
Kuota e pranimit në këto programe studimi, për vitin 2009, është 137 dhe ndahet sipas fakulteteve dhe programeve të studimit, si më poshtë vijon:
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja:
Doktoratë në “Shkenca gjuhësore”, 25 kuota;
Doktoratë në “Letërsi botërore”, 40 kuota.
Fakulteti i Shkencave Natyrore:
Doktoratë në “Fizikë”, 10 kuota;
Doktoratë në “Analiza kimike e lëndës dhe mjedisit”, 10 kuota;
Doktoratë në “Elektrokimi e zbatuar dhe dukuritë sipërfaqësore”, 10 kuota;
Doktoratë në “Teknologji dhe mikrobiologjia e ushqimeve & vlerësimi i sigurisë dhe cilësisë”, 6 kuota;
Doktoratë në “Proceset e trajtimit kimik të lëndëve të para natyrore dhe të mbeturinave industriale e urbane”,10 kuota;
Doktoratë në “Biologji molekulare”, 10 kuota;
Doktoratë në “Biologji e ruajtjes”, 10 kuota;
Doktoratë në “Bioteknologji bimore”, 6 kuota.
22 Tetor 2009