Arrestohen grabitësit e bankës
Policia rajonale e Pejës pas hetimeve të vazhdueshme, ka arritur që të arrestojë dy personat e dyshuar për grabitjen e rreth 70 mijë eurove të dielën në mbrëmje në "NLB Bank" në Pejë.
Zyrtari për informim në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Xhevat Ibra ka bërë të ditur të martën se janë arrestuarit personat që kanë grabitur “NLB Bank” dhe janë konfiskuar paratë.
"Pas zhvillimit të hetimeve të mëtutjeshme, të martën janë identifikuar dhe arrestuar dy personat e dyshimtë. Gjithashtu janë gjetur dhe konfiskuar edhe të hollat e grabitura nga filiali i bankës së “NLB”, në vlere 68205 euro si dhe serveri i incizimit të kamerave në bankë (në cilësinë e provave materiale)", ka thënë Ibra duke mos bërë të ditur identitetin e të dyshuarve, pasi që sipas tij ndaj tyre po zhvillohen akoma hetimet.
"Pas konsultimit me prokurorin e Prokurorisë së Qarkut në Pejë, me urdhër të tij, të dyshimtëve u caktohet masa e ndalimit policor", theksoi Ibra, raporton KosovaPress.