Dita e arrestimeve

Policia e Kosovës të hënën kishte punë më shumë se zakonisht. Në tri aksione të ndara për vepra të ndryshme arriti të prangosë dhjetë persona. Puna më e vështirë ishte në Pejë, pasi që në qytetin perëndimor të Kosovës është grabitur një bankë, nga e cila janë marrë rreth 70 mijë euro. Bëhet e ditur se dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur rreth 70 mijë euro nga filiali i Bankës “NLB Prishtina” në Terminalin Doganor në Pejë, ndërsa përveç një të dyshuari të intervistuar, policia ende nuk ka kapur personat që kanë kryer grabitjen. Personat që kanë grabitur bankën kanë qenë të armatosur me armë të gjata automatike (AK 47) dhe një armë të shkurtër (pistoletë), ndërsa gjatë kërcënimeve të personelit të bankës, kanë lënë në vendngjarje edhe plumba.
Zyra për informim e Policisë në Pejë bëri të ditur se nga banka janë grabitur 69.956 euro, kurse janë dëmtuar edhe pajisjet e incizimit në bankë. “Njësitet speciale operative, si dhe oficerët hetues për krime serioze rajonale, shumë shpejt kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe në vendngjarje kanë lokalizuar një automjet të dyshuar të tipit Wolsvagen, ku në afërsi janë gjetur të hedhura rreth 2 mijë euro”, njofton policia. Bëhet e ditur se pronari i automjetit është intervistuar dhe ndalur në qendrën e mbajtjes, ndërsa që hetimet për kapjen e grabitësve ende janë duke vazhduar.
Në një operacion tjetër të koduar “Sharra”, policia në rajonin e Prishtinës arrestoi katër persona të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore. Personat e arrestuar janë: Faton H, Rexhep J, Besim B dhe Muhamet G., që të katër shtetas të Kosovës. Për këta të katër, Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditëve për të arrestuarit. Gjatë aksionit, përveç arrestimeve, është identifikuar edhe një viktimë. Në një komunikatë të lëshuar nga Policia e Kosovës, thuhet se Njësia kundër trafikimit me qenie e mbështetur edhe nga stacioni policor në Podujevë, më 17 dhjetor gjatë verifikimit të informacioneve ka arritur të sigurojë prova se personat në fjalë ishin duke e trafikuar një viktimë, femër shqiptare e Kosovës. Viktima ishte shfrytëzuar duke u detyruar t’u ofronte shërbime seksuale personave të ndryshëm. Të njëjtën ditë në Prizren dhe Gjakovë kanë arrestuar edhe pesë persona të tjerë. Këta, jo për trafikim me qenie njerëzore, por për falsifikim parash dhe posedim të substancave narkotike. Siç njofton policia, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) gjatë një operacion të zhvilluar në Gjakovë dhe Prizren, ka arrestuar pesë të dyshuar për falsifikim parash dhe posedim të paautorizuar të lëndëve narkotike. Njësitet policore gjatë këtij aksioni kanë konfiskuar edhe sasi të konsiderueshme të parave dhe narkotikëve. Zyra për informim e policisë bëri të ditur se fillimisht më 17 dhjetor në Gjakovë, është hetuar një rast i falsifikimit të parave dhe pas kësaj ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin, Kastriot S. (1979), i cili ishte duke lëvizur në këmbë në rrugën “Nëna Tereze” në Gjakovë.
“Gjatë kontrollit që policia ka bërë, tek i dyshuari janë gjetur dhe konfiskuar një sasi monedhash në vlerë prej 1950 eurosh që dyshohet se janë të falsifikuara”. Ndërkaq, procedura hetimore lidhur me këtë rast është vazhduar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (sektori në Pejë dhe Prizren), ku policia ka arrestuar edhe dy të dyshuar të tjerë, Blerim B. (1974) dhe Shukri K. (1968). Si pjesë e operacionit policor, policia ka kontrolluar edhe shtëpitë e të dyshuarve, ku gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar 2250 euro, me dyshimin e bazuar se janë para të falsifikuara (1150 euro në një shtëpi dhe 1100 euro në shtëpinë e të dyshuarit tjetër). Për rastin e njëjtë, procesi hetimor ka vazhduar edhe në Prizren, ku policia ka arrestuar edhe dy të dyshuar të tjerë, Martin B. dhe Bedridin B. për falsifikim parash dhe posedim të paautorizuar të substancave narkotike.
Në vazhdimësi të hetimit të këtij rasti nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), të përkrahur edhe nga Njësiti i hetimeve të stacionit policor të Gjakovës, janë kontrolluar një shtëpi dhe një lokal zejtar në Prizren, ku janë gjetur dhe konfiskuar 1230 euro, prej të cilave 1050 euro dyshohet se janë të falsifikuara. “Gjatë bastisjes, gjithashtu janë gjetur dhe konfiskuar edhe dy qese me sasi të substancës narkotike. Sasia e përgjithshme e të hollave të konfiskuara që dyshohet të jenë të falsifikuara në këtë rast është 5430 euro”, njofton policia.