E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen informatoret. Ndihmuan CIA-n per kapjen e Bin Laden

Mediat amerikane bëjnë të ditur se kundërbulimi pakistanez u ka vënë prangat pesë informatorëve të CIA-s që ndihmuan në zbulimin e vendndodhjes së kreut të terrorit Osama bin Laden. Të pestë janë pakistanezë dhe dyshohet se kanë pasur kontakte të vazhdueshme me  Agjencinë Qëndrore të Inteligjencës amerikane, CIA, para se forcat speciale amerikane e kanë kryer operacionin e vrasjes së liderit të Al Kaidës.

New York Times citon një zyrtar anonim amerikan i cili thotë se mes të burgosurve është dhe një major i ushtrisë pakistaneze që i kishte kopjuar tabelat e regjistrimit të veturës që e kanë vizituar Bin Ladenin në vendbanimin e tij në Abotabad, disa javë para 2 majit kur u realizua operacioni amerikan.

Të dhënat thonë se fati i informatorëve të CIA-s mbetet i paqartë pas arrestimit të tyre. Mediat amerikane raportojnë se drejtori i CIA-s, Leon Paneta, e ka ngritur çështjen gjatë vizitës së tij në Islamabad, javën e kaluar, kur ai u takua me zyrtarë të lartë të shërbimit sekret dhe ushtrisë pakistaneze. Por ndërsa mbetet ende mister fati i të arrestuarve të dhënat më të fundit flasin për përkeqësim të marrëdhënieve SHBA-Pakistan, pas operacionit të 2 majit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›