E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura e vogel provimet e lirimit per 9-vjecaret

Këto ditë qershori janë ditë provimesh edhe për nxënësit e shkollave 9-vjeçare.  Ditën e premte, ata të klasës së 9-të pritet që të finalizojnë 9 vite dije në Gjuhë-Letërsi. Provimet e lirimit tashmë u ngjasojnë atyre të maturës shtetërore, nisur nga procedurat që ndiqen. Testit të Gjuhë-Letërsisë do t’i nështrohen në të gjithë vendin rreth 51.400 nxënës.

“Janë marrë të gjitha masat për realizimin e procesit në mënyrën më të mirë të mundshme. Njëlloj sikurse provimi i maturës, fletët e provimit vijnë me zarf të mbyllur nga kryeadministratori. Ditën e provimit në mëngjes, hapen në orarin e caktuar, në orën 10.00. Pasi është hedhur shorti për administratorët e klasave ndahet grupimi i nxënësve. Çdo klasë ka 15 nxënës”-thotë Eliana Sado, drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit”.

Sipas udhëzimeve të dala nga drejtoria arsimore, nëse nxënësit do të mungojnë në provime, duhet që arsyeja e tyre të jetë e argumentuar ndërkohë që për ta do të ketë një shans të dytë.

“Duhet ta kenë të dokumentuar nqs janë të sëmurë. Kanë të drejtë ta japin në fund të gushtit”-thotë ajo.

Nxënësit do të vlerësohen me pikë të cilat konvertohen në notë, ndërkohë që në datën 23 qershor ata do të zhvillojnë atë të matematikës.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›