E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen në Karaçi, një grup militant

Karaçi, 15 Janar, 11:25, NOA - Policia pakistaneze arrestoi sot më shumë se 12 militantë islamikë në qytetin jugor Karaçi gjatë luftimeve që pasuan sulmin e orëve të para të mëngjesit, të zhvilluar në vendstrehimin e tyre, njoftuan burime zyrtare.

Dy policë humbën jetën dhe nëntë të tjerë u plagosën gjatë sulmit disa orësh në vendstrehimin e militantëve.

Sulmi në këtë zonë u zhvillua në një kohë kur tensionet mes Pakistanit dhe Indisë po shtohen pas sulmeve kamikaze në kryeqytetin financiar të Indisë, Bombei gjatë muajit nëntor dhe gjithashtu po rritet presioni i ndërkombëtarëve kundrejt autoriteteve pakistaneze për të ndërmarrë masa më të ashpra kundër grupeve xhihadiste.

Nuk ka të dhëna që militantët kishin lidhje me grupet antiindiane, por shefi i policisë në Karaçi, Waseem Ahmed deklaroi se autoritetet po hetonin për lidhje të militantëve me grupet protalebane që ndodhen në rajonet e trazuara fisnore në kufi me Afganistanin.

"Kemi njoftime se disa elemente të grupeve xhihadiste kanë operuar në këtë zonë dhe sot zhvilluam një sulm nga ku arritëm të arrestonim shumë prej tyre", shtoi Ahmed.

NOA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›