Arrestohen për mitmarrje 3 mjekë dhe dy infermierë te “Koço Glozheni”
Emanuela Sako
Policia e Tiranës arrestoi dje tre mjekë dhe dy infermiere të Materniteti Obsetrik-Gjinekologjik “Koço Glozheni”. Nga të dhënat paraprake të Policisë së Shtetit akuzat janë për veprën penale të korrupsionit pasiv. Të pesë personat akuzohen se u kanë marrë para nën dorë pacientëve për shërbimin mjekësor të ushtruar ndaj tyre. Sipas njoftimit zyrtar të policisë mësohet se efektivat blu kanë ekzekutuar vendimet e marra disa orë më parë nga Gjykata e Tiranës. Po të njëjtat burime sqaruan se gjyqtari i gatshëm pasi ka mësuar kërkesën e prokurorit kishte vendosur arrest shtëpie për tre mjekët dhe dy infermierët e maternitetit “Koço Gliozheni”. Bluzat e bardha akuzohen për ryshfet dhe mitmarrje ndërsa ishin nën hetim nga policia prej tetë muajsh.
Mjekët
Sipas njoftimit të policisë në “arrest shtëpie” janë vënë Petrit Rexhepi 56 vjeç Shef Pavijoni te “Koço Glozheni”; Dritan Xhangolli, obstetër në këtë maternitet; Hyra Reçi, infermiere-mami; Nilka Ferhati, mami. Gjithashtu në arrest shtëpie është vënë edhe Lefter Mano, anestezist po në këtë maternitet. Sipas deklaratës së policisë, specialistët e seksionit Kundër Korrupsionit pranë Policisë së Tiranës, në sajë të një hetimi intensiv 8- mujor, i realizuar me teknika speciale të hetimit, në bashkëpunim me Njësinë Task-Forcë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë përfunduar me sukses operacionin policor të koduar “Trashëgimtari”.
Akuzat
Personat e arrestuar dyshohen se për këtë periudhë 8 -mujore hetimi, kanë përfituar në mënyrë të paligjshme shuma të konsiderueshme parash, kundrejt ofrimit të shërbimit mjekësor në (lindje normale dhe lindje me operacion), për disa shtetase. Procedimi penal në ngarkim të tyre, filloi mbi bazën e disa kallëzimeve të kryera nga disa paciente, të cilat kanë deklaruar se stafi mjekësor i lartë përmendur, kanë përfituar prej tyre, një shumë të konsiderueshme parash, për ofrimin e shërbimeve mjekësore të mësipërme. Nga specialistët e seksionit Kundër Krimit Ekonomik - Financiar ekzekutuan vendimet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, nën akuzën e “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar në nenin 259 të Kodit Penal. Vendimet e Gjykatës, për ndalimin e tyre u ekzekutuan në banesë dhe në ambientet ku ata ishin të punësuar.
Mjekët e vënë në akuzë
Petrit Ferik Rexhepi, 56 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i pa proceduar, me profesion mjek dhe i punësuar Gjinekolog (Shefi i Klinikës Obstrike, pranë Qendrës Spitalore Gjinekologjike “Koço Glozheni”, Tiranë).
Dritan Lutfi Xhangolli, 38 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i pa dënuar, me profesion mjek dhe i punësuar si mjek Reaminator (pranë Qendrës Spitalore Gjinekologjike “Koço Glozheni”, në Tiranë).
Hyre Brahim Reci, 54 vjeç, lindur në Pukë e banuese në Tiranë, me profesion dhe e punësuar Infermiere - Mami, (pranë Qendrës Spitalore Gjinekologjike “Koço Glozheni”, në Tiranë).
Nilka Hasan Perhati, 57 vjeç, lindur e banuese në Tiranë, me profesion dhe e punësuar Infermiere - Mami (pranë Qendrës Spitalore Gjinekologjike “Koço Glozheni”, në Tiranë).
Lefter Pando Mano, 53 vjeç, lindur e banues në Tiranë, me profesion Anestezist (pranë Qendrës Spitalore Gjinekologjike “Koço Glozheni”, Tiranë)
29 Shtator 2009