E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teksti i Historisë, rebelohen gjimnazistët e “Çajupit” në kryeqytet



Jonida Tashi

Pengohet zhvillimi i protestës së gjimnazistëve të “Çajupit” në Tiranë, për librin e Historisë, me të cilin ata duhet të mësojnë. Protesta nuk u arrit të zhvillohej pasi gjimnazistët, sipas dëshmisë së tyre, u kërcënuan nga drejtoria e shkollës me përjashtim nga shkolla apo nota të ulëta. Nxënësit e vitit të tretë të gjimnazit “Andon Zako Çajupi” në kryeqytet kanë kundërshtuar tekstin e ri të Historisë XII me anë të një proteste mëngjesin e ditës së djeshme, në orarin kur duhej të fillonin mësimin. Nën presionin e bojkotimit të mësimit, ata kanë ngritur zërin dhe kanë protestuar, duke deklaruar se nuk mund të mësonin ato çka u referoheshin në tekstin e ri të hartuar për këtë vit, i cili sipas tyre, përmbante ndryshime politike të papranueshme. Protesta djeshme, e cila organizohej nga Lëvizja “Rinia Aktive”, ka dështuar pasi sipas vetë gjimnazistëve të këtij gjimnazi, presioni i drejtuesve të shkollës për ta ndaluar këtë rebelim të nxënësve ka qenë tepër i madh. Duke mos mundur ta përballojnë dot presionin e drejtuesve të tyre, reagimi i nxënësve është mbyllur më pas me ndërprerjen e protestës dhe rifutjen e tyre në mjediset e shkollës për të vijuar mësimin në kushte normale.
Denoncimi
I menjëhershëm ka qenë reagimi i drejtuesve të shkollës së mesme “Çajupi”, të cilët, pas futjes së nxënësve në klasa, kanë denoncuar Lëvizjen “Rinia aktive”. Denoncimi është bërë nga vetë drejtoresha e këtij gjimnazi, Albana Kosovrasti, pasi është cilësuar prej saj si nxitëse dhe organizatore e rebelimit të nxënësve të kësaj shkolle. Ndërkaq, burime pranë shkollës bëjnë të ditur se nxënësit e përfshirë në protestë janë marrë në pyetje nga drejtuesit e shkollës për të sqaruar arsyet e protestës, e cila mblodhi mjaft nxënës, të cilët nën presionin e bojkotimit të mësimit, kanë ngritur zërin dhe kanë protestuar ndaj ndryshimeve të reja të këtij teksti. E ndërsa drejtuesit e shkollës ushtruan presion që nxënësit të futeshin patjetër në mësim, ata janë takuar edhe nga deputeti socialist, Ilir Gjoni, i cili ka qenë në anën e nxënësve gjatë protestës. Sipas tij, denoncimi i drejtuesve të kësaj shkolle ndaj lëvizjes “Rinia aktive” përbën një turp për trupën arsimor.
Protesta
Nxënësit e shkollës “Çajupi” në kryeqytet kishin planifikuar të protestonin ditën e hënë për tekstin e Historisë XII, me ndihmën e Lëvizjes “Rinia Aktive”. Protesta nuk u arrit të zhvillohej, pasi sipas dëshmive të gjimnazistëve, ata janë kërcënuar nga drejtoria e shkollës me përjashtim nga gjimnazi apo nota të ulëta. Ndërkohë që maturantët kanë dashur të mos hyjnë në mësim vetëm për një orë, në shenjë proteste ndaj tekstit të Historisë XII, ku autorët shprehen me nota negative ndaj veprimtarisë së PS-së dhe me vlerësime pozitive për kryeministrin Sali Berisha, ndërsa ngjarja e Gërdecit cilësohet si një aksident teknologjik. Sipas nxënësve, qëllimi i protestës ishte që t’i bënin apel Ministrisë së Arsimit për ta nxjerrë nga qarkullimi tekstin mësimor dhe të bënin ndryshimin e tij. Përveç reagimit të parë publik të nxënësve, teksti i Historisë është kundërshtuar edhe nga historianë të njohur dhe shkrimtarë, ndërsa Partia Socialiste ka kërkuar tërheqjen nga tregu të librit të Historisë së Popullit Shqiptar për vitin e fundit të gjimnazit. Historianët e cilësojnë të politizuar përmbajtjen e tekstit të Historisë për klasat e dymbëdhjeta dhe se ai nuk i plotëson njohuritë bazë të nxënësve për periudhat shumë të debatuara mes tyre dhe për vitin 1997.

Deklarata e drejtoreshës së shkollës, Albana Kosovrasti

“Pesë të rinj, përfaqësues të OJQ-ve, i kërkuan nxënësve të braktisin shkollën dhe të dalin me ta në protestë kundër problemeve që ka teksti. Ne nuk jemi njoftuar, dhe nuk ka pasur asnjë ankesë nga ana e nxënësve për tekstin. Së dyti, nuk jemi njoftuar për një protestë të tillë që mund të organizohej përpara institucionit tonë. Së treti, nuk është ligjore që t’i bëhet thirrje nxënësve të braktisin shkollën e të dalin në protestë”.

Shoqërohen në polici aktivistët e Lëvizjes “Rinia Aktive”

Nuk ka kaluar shumë kohë nga denoncimi i drejtoreshës së “Çajupit” dhe polica është gjendur menjëherë në ambientet e shkollës, për të shoqëruar disa aktivistë të Lëvizjes “Rinia aktive”. Aktivistët janë shoqëruar nga policia në ambientet e komisariatit Nr.4, pasi u denoncuan nga drejtoria e shkollës “Çajupi” për prishje të procesit mësimor. Policia ka marr në pyetje të rinjtë e shoqëruar në komisariat.

Deputeti, Ilir Gjoni: “Kosovrasti të tërheq denoncimin”

Në ambientet e shkollës “Çajupi”, ka qenë i pranishëm dhe deputeti socialist Ilir Gjoni, i cili pas ndërhyrjes së policisë ka zhvilluar një takim me drejtoresh e shkollës. Sipas deputetit socialist, protesta ishte brenda rregullave dhe për këtë arsye ai i ka kërkuar drejtoreshës së shkollës të tërhiqte denoncimin. Gjoni ka pohuar se “Teksti i Historisë XII është i turpshëm. Si ato të neodiktaturës. I kërkova drejtorisë së shkollës të tërheqë denoncimin, pasi nuk nderon trupën arsimore”.

29 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›