Universitetet, të shtunën mbyllet procesi përfundimtar i regjistrimit
Jonida Tashi
Dita e shtunë është caktuar nga Ministria e Arsimit si afati i fundit për të kryer regjistrimin përfundimtar në universitete. Kandidatët që nuk do të kryejnë regjistrimin brenda afateve të vendosura do të humbasin për këtë vit të drejtën e studimit. Për këtë arsye, Ministria e Arsimit u bën apel të gjithë kandidatëve fitues në universitete që të regjistrohen në degët ku janë shpallur fitues përfundimisht, ndërsa kandidatët që nga lista e dytë e fituesve kanë rezultuar fitues në një preferencë të tyre më të lartë, duhet të çregjistrohen nga dega ku janë regjistruar paraprakisht. Aktualisht, pas publikimit të rezultateve të fazës së dytë të garës për në universitetet publike të vendit për vitin akademik 2009-2010, sekretaritë e fakulteteve, po vijojnë regjistrimet e studentëve fitues. Në këtë fazë për shkak të vendeve të mbetura bosh në degët universitare do të ketë edhe kandidatë që shpallen për herë të parë fitues.
Afatet
Ministria e Arsimit njofton të gjithë kandidatët fitues se duke filluar që në datat 26, 27, 28, 29, 30 shtator dhe 1, 2, 3 tetor 2009, prej orës 08:00 deri në orën 18:00, sekretaritë mësimore të fakulteteve, do të kryejnë çregjistrimet e kandidatëve që janë shpallur fitues në një program studimi tjetër, të një preference më të lartë të tyre dhe të regjistrojnë kandidatët e rinj fitues, sipas listave përfundimtare të fituesve, të shpallura nga Agjencia e Pranimeve në Universitete (APRIAL). Me përfundimin e këtij procesi, të gjitha universitetet publike duhet të dorëzojnë pranë APRIAL-it, listat e kandidatëve të regjistruar në datë 5 tetor 2009. Për regjistrimin përfundimtar, studenti fitues duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive mësimore dhe të dorëzojë një dosje individuale e cila duhet të përmbajë këto dokumente: Dëftesë Pjekurie origjinale; Listë notash me fotografi; Dokument identifikimi; 2 fotografi dhe mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekë.
Faza e tretë
Pas mbylljes së fazës së parë dhe të dytë të pranimeve, një raund i tretë do të nis pas përfundimit të regjistrimeve të dyta. Kështu, nëse pas fazës së dytë të pranimeve sërish do të rezultojnë vende të lira do të hartohet lista e radhës me fituesit e universiteteve, deri sa këta të fundit, të plotësojnë numrin e kuotave të vëna në dispozicion nga qeveria. Por ndryshe nga dy fazat e para, pranimet e studentëve në fazën e tretë nuk do të bëhen më me postim liste, por nëpërmjet aplikimit duke plotësuar formularin A3. Në këtë formular do të evidentohen të gjitha kuotat e mbetura bosh në universitete, që deri tani janë 517 të tilla, të cilat nuk janë preferuar nga maturantët që në plotësimin e formularit A2. Megjithëse bëhet fjalë për fazën e tretë të pranimeve, ku nga njëra anë mjaft të rinjve iu është “shuar” shpresa për të fituar këtë vit shkollën e lartë, ndërsa nga ana tjetër degët me kuota të lira nuk janë të preferuara nga maturantët, ata kandidatë që do të vendosin të aplikojnë duhet të bëjnë më saktësi llogarinë e mundësive që kanë, në mënyrë që të konkurrojnë.
Raundi i tretë, kuotat do të rishpërndahen me formularin A3
Në raundin e tretë të pranimeve kandidatët do të aplikojnë për të fituar universitetin vetëm për vendet e mbetura bosh që do të shpallen nga Ministria e Arsimit. Edhe në këtë fazë, kandidatët fitues do të përcaktohen nga Agjencia Kombëtare e Pranimeve (APRIAL), në bazë të dy parimeve: Parimi i meritës: sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të “Maturës Shtetërore” dhe për disa programe studimi edhe të rezultateve të konkursit të zhvilluar për degët që kanë pasur një specialitetet të tillë; Parimi i vullnetit të kandidatëve i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre në formularin A3. Ky formular do të përmbajë të gjitha kuotat e përcaktuara nga MASH-i, për secilin program studimi të ciklit të parë dhe do të mundësojë orientimin dhe aplikimin për programin e studimit të preferuar nga kandidati, në bazë të pikëve të fituara dhe të pikëve të fituesit të fundit. Formulari A3 do të shpërndahet në të gjitha drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore dhe në APRIAL, ku mund të tërhiqet nga kandidatët, të plotësohet dhe të dorëzohet i plotësuar në institucionin në të cilin është marrë.
Kandidatët që kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3
Kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3 të gjithë kandidatët që:
Nuk kanë mundur të përfshihen në listat e fituesve për t’u regjistruar në ciklin e parë të studimeve në universitete në vitin akademik 2009-2010
Janë përfshirë në listat e fituesve dhe nuk janë regjistruar në universitete në vitin akademik 2009-2010 Janë fitues të regjistruar në një program studimi në vitin akademik 2009-2010 dhe nuk preferojnë të ndjekin atë program studimi
Kanë fituar provimet me zgjedhje në vitet 2008 dhe 2009 dhe nuk figurojnë të regjistruar në programet e studimit në universitete
Kanë fituar konkurset e pranimit në Akademinë e Arteve dhe Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve në korrik të vitit 2009 dhe kanë fituar të dyja provimet me zgjedhje Z1 dhe Z2 në vitin 2008 ose 2009
Realizmi i objektivave
Ministri Tafaj i kërkon ndihmë ambasadorit të UNICEF-it në Shqipëri
Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj priti dje në Ministrinë e Arsimit në një takim ambasadorin i UNICEF-it në Shqipëri, Detlef Palm. Gjatë bashkëbisedimit, ministri Tafaj, shprehu vlerësimin e tij për kontributin afatgjatë të UNICEF-it në fushën e arsimit shqiptar. Në veçanti, kreu i Arsimit në vend kërkoi që bashkëpunimi në të ardhmen, krahas projekteve ekzistues, të fokusohet edhe në mbështetjen e UNICEF-it për realizimin e dy objektivave parësore të MASH-it siç janë: mbështetje e UNICEF-it ndaj politikave të Ministrisë për përfshirjen e të gjithë fëmijëve 5 dhe 6–vjeçarë në vitin përgatitor të arsimit parashkollor; si dhe mbështetje në përpunimin e një strategjie të përbashkët, për realizimin e objektivit themelor të arsimit bazë për braktisje zero të shkollës 9-vjeçare, duke shfrytëzuar ekspertizën e UNICEF-it. Ndërsa nga ana e tij, Palm vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm me MASH-it dhe siguroi ministrin e Arsimit për mbështetjen e politikave të reja arsimore të dikasterit që Tafaj drejton.
29 Shtator 2009