Reforma në ushtri, shtabet dhe njësitë që do shkurtohen
Laureta Rryçi
Përfshirja në NATO do t’i kushtojë tjetërsimin Forcave të Armatosura. Vetëm pak ditë pasi të linte detyrën mësohet se ish-ministri Oketa kishte dorëzuar në presidencë propozimin për shkrirjen e Shtabit dhe ministrisë, në një strukture të vetme. Ky projekt mbështetet edhe nga ministri i ri Mbrojtjes, Arben Imami. Në konferencën për hartimin e planit 5-vjeçar të integrimit të plotë në NATO, ministri tha se brenda 2010-s në Shqipëri do të ketë vetëm ushtarë profesionistë dhe jo shërbim të detyrueshëm. Sipas Imamit, do të eliminohen shtabet dhe njësitë e tepërta. Ndërsa ushtarakët e lartë të NATO-s kërkuan reformë me hapa më të shpejtë nga vendi ynë që nga muaji prill është bërë pjesë e aleancës më të madhe ushtarake.
Ndryshimet
“Për integrimin e plotë në aleancë është e domosdoshme të vijojmë transformimin e themeleve doktrinore, kapaciteteve ushtarake e padyshim, tërë strukturës së Forcave të Armatosura. Ne e dimë gjithashtu se ky është një proces kompleks që do kohë. Ne e dimë se kemi një detyrë të madhe dhe komplekse për të përballuar”, tha dje gjatë fjalës së tij Ministri i Mbrojtjes Arben Imami. Sipas tij gjatë konferencës së parë të integrimit në mars u përcaktua rruga ku do te ecnin përpara për vitet e ardhshme Forcat e Armatosura dhe u premtua që, gjatë pesë viteve në vijim, do të krijohej një forcë të armatosur plotësisht e ndërveprueshme, e aftë për t´u integruar në strukturat, operacionet dhe procedurat e NATO-s. Mirëpo me sa duket për të arritur këto qëllime strukturave ushtarake të vendit tonë iu duhet të përballen me disa reforma që jo vetëm do të ndryshojnë strukturat por edhe do të ndikojnë në uljen e numrit të forcave të Armatosura dhe ndryshimin e emërimeve të disa brigadave. Imami shpjegoi gjatë takimit të djeshëm se synimi kryesor i reformës së Forcave të Armatosura shqiptare është ndërtimi deri në fund të vitit 2010 i një force më të vogël, plotësisht profesioniste dhe më të aftë, si dhe konsolidimi i saj deri në vitin 2015. Ky ndryshim nuk do të përfshijë vetëm përshtatjen e fuqisë njerëzore e të strukturave të organizimit, por gjithashtu një ndryshim të rëndësishëm në konceptet operacionale, në sistemet e stërvitjes dhe në konceptet e menaxhimit të mbrojtjes.
Rishikimi
Për të arritur këto reforma, drejtuesit e Forcave të Armatosura dhe ato të Ministrisë së Mbrojtjes duket se kanë rënë paraprakisht dakord që të krijohet në tërësi një strukturë e re mbështetëse. Për rrjedhojë e gjithë struktura e Forcave të Armatosura aktualisht është në proces rishikimi dhe modifikimi të kësaj strukture. Vëmendje në këtë strukturim do të kenë të rritet ciëlsia e komandimit dhe drejtimit, të mënjanojnë shtabet e njësitë e tepërta dhe të përshtaten strukturat e disa njësive për t`i bërë ato më efektive. Në sitë rishikimi janë edhe të gjitha tabelat e organizim-pajisjeve për çdo njësi dhe drejtori. Kjo pritet të sjellë një permirësim në procedurat e menaxhimit të burimeve. “Si pjesë e procesit të riorganizimit të forcës dhe në interes të një menaxhimi më të frytshëm burimesh, ne jemi duke studiuar përfitimet e integrimit të stafit të Ministrisë së Mbrojtjes e të Shtabit të Përgjithshëm në një organizëm të vetëm, me qëllim që të përqendrohet dhe përmirësohet procesi i planifikimit, bashkërendimi i programeve të modernizimit dhe shpërndarja e burimeve”, tha Imami.
Ndryshimet që do të pasqyrohen në buxhetin për ushtarakët
Sipas ministrit Arben Imami rëndësi të jashtëzakonshme kanë përpjekjet për të rishikuar, modifikuar dhe përmirësuar procedurat e zbatimit të planifikimit dhe buxhetimit tonë financiar. Imami nuk harroi të kujtonte se çështjet dhe veçoritë që shqetësojnë Forcat e Armatosura është i rëndësishëm. Për këtë çështje u është ngarkuar si detyrë të bëjnë propozime konkrete ekspertëve të Forcave të Armatosura si dhe ekspertëve të Ministrisë së Mbrojtjes.
Strategjia mbi brigadat dhe shtabet që do të pësojnë reformim
Duke nisur nga ky vit dhe në disa të tjerë, ushtria shqiptare do të përfshihet nga reforma që do të prekin të gjitha strukturat e përfshira në të. Tashmë për drejtuesit e ministrisë së Mbrojtjes objektivat janë të qarta dhe personat përkatës do të merren posaçërisht me implementimin e tyre. Sipas strategjistë parashikohet që në vitet në vazhdim të ngrihet një strukturë e re ajo e Qendrës së personelit e cila do të ekzekutojë programet e personelit, shërbimet dhe sistemet që mbështesin gatishmërinë dhe mirëqenien e FA-së. Brenda vitit 2010, FA duhet të jetë 100 për qind profesioniste. Gjatë periudhës kalimtare prioritet do të jetë plotësimi me ushtarë profesionistë i reparteve prioritare si Brigada e Reagimit të Shpejtë dhe Regjimenti Komando. Arsimimi, trajnimi, mbështjetja sociale, ecuria në karrierë dhe përkujdesja pas përfundimit të kohës së shërbimit aktiv të jenë gjithnjë në qendër të vëmendjes të strukturave të menaxhimit të personelit. Do të përmirsohet sistemi i të dhënave për mënyrën e emërimit në detyrës, armimin dhe kualifikimet e personelit civil dhe ushtarak të FA-së.
Tabela në shifra
Numri i përgjithshëm i Forcave të Armatosura në vitin 2013 do të reduktohet në 3 për qind
Numri i Oficerëve do të reduktohet në masën 2 për qind
Numri i civilëve do të reduktohet në masën 2.3 për qind
Numri i nënoficerëce do të rritet në masën 9.3 për qind
Numri i Ushtarëve profesionistë do të rritet në masën 50 për qind
29 Shtator 2009