E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD-ja vendos rregulla të reja për kryetarët e gjykatave



Laureta Rryçi

Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendos t’iu kërkojë më tepër llogari kryetarëve të gjykatave. Pas një inspektimit në disa gjykata, specialistët kanë arritur në përfundimin se disa rregulla duhen ndryshuar pasi kryetarët duhet të rrisin kërkesën e llogarisë ndaj gjyqtarëve apo administratës që kanë në varësi. Burime pranë Këshillit shpjeguan dje për gazetën “Albania” se në shkresën që iu është dërguar drejtuesve të gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit janë përcaktuar disa rregulla të reja të cilat kryetarët duhet t’i zbatojnë gjatë ditëve në vazhdim. Kjo është një tjetër nismë që ndërmerret nga Këshilli brenda një kohe të shkurtër nga dita kur Presidenti Bamir Topi lëshoi kritika për sistemin gjyqësor dhe rikthimin e besimit te qytetari që kërkon drejtësi.
Shkresa
Burime zyrtare shpjeguan dje se Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi ka shqyrtuar raportet dhe Rekomandimet e përgatitura nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në përfundim të inspektimit tematik me objekt “Kontrollin e veprimtarisë së kryetarëve të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të apelit” është vendosur të vërë në dijeni kryetarët për disa rregulla të reja në punën e tyre. Është vendosur që Këshilli do të zhvillojë takime periodike me kryetarët e gjykatave duke trajtuar në mënyrë sistematike, problematikat e konstatuara gjatë ushtrimit të veprimtarisë së gjykatave. Këshilli, ka vendosur t’u drejtohet me shkresë gjithë gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të apeleve, në mënyrë që kryetarët e tyre, të sensibilizohen në drejtim të zbatimit të detyrimeve ligjore të përcaktuara në nenin 18, të Ligjit Nr.9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. Kryetarët e gjykatave duhet të kujdesen për: dokumentimin e të gjitha vendimeve të marra për miratimin e kërkesave të gjyqtarëve për dorëheqje nga gjykimi dhe përpilimin e tyre në formë të shkruar e të arsyetuar duke iu referuar dispozitave përkatëse procedurale penale e civile. Për mbikëqyrjen e respektimit të disiplinës në punë, të solemnitetit të gjykimit dhe të respektimit të etikës nga trupa gjyqësore. Në të njëjtën monitorim do të jenë edhe të gjitha veprimet për planifikimin e gjyqtarëve që shqyrtojnë kërkesat e Prokurorisë për vleftësim arresti a ndalimi dhe për caktim mase sigurimi çdo muaj e sipas rendit alfabetik me bazë mbiemrin si dhe së fundmi do të raportohet edhe për rekrutimin e punonjësve të administratës gjyqësore sipas kritereve ligjore dhe meritave personale. Po kështu nëpërmjet shkresës së dërguar kryetarët janë vënë në dijeni se Këshilli, ka marrë vendim, t’i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë dhe nëpërmjet saj, ekzekutivit e Kuvendit të Shqipërisë, për vazhdimin e nismës ligjore për hartimin e ligjit “Për funksionimin dhe organizimin e administratës gjyqësore”, me qëllim unifikimin e procedurave administrative në gjykata dhe përcaktimin e rolit dhe të përgjegjësive të të gjithë subjekteve të administrimit gjyqësor.
Vendimi
Në mbledhjen e fundit që u zhvillua vetëm pak ditë më parë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë diskutoi mbi nevojat e një inspektimi të posaçëm të gjyqtarëve për të kontrolluar rregullsinë e procesit ligjor në ato çështje gjyqësore penale ku akuza lidhet me vepra penale me kriminalitet të lartë, referuar në raste që kanë sensibilizuar edhe opinionin publik. Burime pranë Këshillit shpjeguan dje se rëndësia e një inspektimi të mundshëm u diskutua në prizmin e bashkëpunimit midis Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe atij të Ministrisë së Drejtësisë, referuar veçanërisht disa proceseve penale, kohëzgjatja e të cilave rrezikon afatet e paraburgimit, si dhe trajtimit të diferencuar të rasteve analoge nga gjykatat.
Kjo iniciativë vjen në një kohë kur Këshilli prezantoi dhe konkludoi edhe dy raporte përfundimtare të inspektimit tematik të kryer si ndaj disa kryetarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, ashtu dhe ndaj gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit; për këto të fundit, mbi çështje të solemnitetit në gjykim, etikën dhe disiplinën në punë. Për të dyja këto çështje, Këshilli doli me rekomandimet përkatëse, të cilat pritet të bëhen publike gjatë ditëve në vazhdim.

29 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›