E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantojnë PTK`në

Qeveria e Kosovës ka mbajtur konferencën e parë për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës. Aty u ftuan shumë investitorë të huaj. Sipas udhëheqësve të Qeverisë, ky privatizim është i domosdoshëm dhe do të sjellë përfitime për të gjithë, në radhë të parë për shtetin dhe qytetarët e vendit.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se Qeveria ka vendosur t’i hapë rrugë përfshirjes dhe pjesëmarrjes së sektorit privat në kompanitë publike, me qëllim të rritjes së përformances së tyre, që reflektohet edhe në zhvillimin e gjithëmbarshëm.

Kryeministri Thaçi pohoi se me futjen e kapitalit privat në PTK, qeveria synon që ajo të mbajë pozitën e fuqishme që ka në treg, ta vazhdojë modernizimin e saj dhe të ofrojë shërbime të reja.

"Jam thellësisht i bindur se kjo konferencë do t’ju ndihmojë juve, të nderuar investitorë, t’i kuptoni edhe më për së afërmi mundësitë që ofron tregu kosovar i telekomunikimit", ka deklaruar ai.

Fatmir Limaj, ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit tha se në një të ardhme të afërt do të jetë krenar për faktin që gjeneratat e ardhshme kosovare do të kenë mundësi të lëvizin nëpër rrugët moderne të Kosovës, të fluturojnë në një ambient të sigurt nga një aeroport modern, të kenë shërbime të sofistikuara dhe universale telekomunikuese dhe, mbi të gjitha, do të kenë një cilësi të lartë të jetesës në atdheun e tyre.

"Shërbimet kualitative dhe universale të telekomunikacionit janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për secilin vend të botës dhe zhvillimi i këtyre shërbimeve është parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, tha ai.

Operatori publik i telefonisë mobile, Vala, mbulon me rrjet mbi 97.2 për qind të territorit të Kosovës dhe ka pjesëmarrje në treg me rreth 70 për qind të tregut të telefonisë mobile në Kosovë ose rreth 1milion konsumatorë. Potencial të madh, PTK-ja ka edhe në ofrimin e shërbimeve të telefonisë fikse.

Kompanitë që morën pjesë:
Axos Capital, Bedminster Capital, Cable & Wireles, Goldmark Telecommunications, LTD, HT-Hrvatske Telekomunikacije, Magyar Telekom, Mobicom Austria, Orascom, TurkCell, Calik Holding/ Eagle mobile

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›