Izraeli ndërton 700 shtëpi të reja në Jerusalem
Izraeli planifikon të ndërtojë rreth 700 ndërtesa të reja në Jerusalemin Lindor, ka njoftuar sot Ministria për vendbanim, duke nxitur kështu kritikat si të palestinezëve, ashtu edhe të SHBA-së.
Palestinezët e pretendojnë Jerusalemin Lindor për kryeqytet të shtetit të tyre në të ardhmen dhe lagjet hebrenje në këtë pjesë të qytetit i konsiderojnë si koloni. Izraeli e pretendon Jerusalemin e bashkuar si kryeqytet të vetin.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, para disa javësh kumtoi ngadalësimin e aktiviteteve nëpër koloni në Bregun Perëndimor, me shpresë se do të bindë palestinezët që të kthehen në tavolinën e negociatave. Por ky urdhër nuk përfshin edhe aktivitetet në Jerusalemin Lindor.
“Ne e bëjmë një dallim mes Bregut Perëndimor dhe Jerusalemit. Jerusalemi është kryeqyteti ynë dhe do të mbetet i tillë”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë së Izraelit, Mark Regev.
Izraeli lagjet hebrenje në Jerusalemin Lindor nuk i konsideron si koloni. Izraeli pushtoi pjesët lindore të qytetit në vitin 1967 dhe aneksoi menjëherë këtë rajon. Bashkësia ndërkombëtare nuk e njeh këtë aneksim.
“Ne e dënojmë politikën e vazhdimit të aktiviteteve nëpër koloni dhe shpresoi se kjo do t’ia hap sytë administratës së SHBA-së dhe të tjerëve”, deklaroi zyrtari i lartë palestinez, Saeb Erekat.