Arrestohen tre pjesëtarë të Vetëvendosjes

Tre pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje janë arrestuar gjatë një proteste që e kanë mbajtur sot në Prizren.
Protestuesit janë grumbulluar para hyrjes së Kuvendit Komunal të Prizrenit, në mënyrë që të shprehin pakënaqësinë e tyre rreth projektligjit për qendrën e Prizrenit, i cili sot po debatohet nga këshilltarët komunalë të Prizrenit.
“Policia tentoi që t’i shpërndante aktivistët dhe në tentim e sipër arrestoi tre prej tyre. Ata janë: Kushtrim Dakaj, Edi Kabashi dhe Jaser Ymeri”, thuhet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në komunikatë thuhet se pavarësisht përpjekjeve të policisë që protesta mos të mbahet, asaj i janë bashkangjitur edhe një numër i madh i qytetarëve të Prizrenit.
“Mbledhja e Kuvendit Komunal po vazhdon, ndërkaq përballë protestuesve qëndron njësia speciale e policisë, i cila e ka bllokuar hyrjen”.