Arrestohet i gjashti për vrasjen e Krekës
Blutë e Korçës kanë vënë në pranga edhe autorin e gjashtë të vrasjes së Oligert Krekës, ngjarje e ndodhur në fshatin Barç mbrëmjen e 13 marsit. Sipas të dhënave nga Policia, i arrestuari është shtetasi Gardjol Kanani, i cili dyshohet se në bashkëpunim me 5 persona të tjerë ka vrarë 23-vjeçarin Kreka dhe plagosur 25-vjeçarin Saimir Yzeiri. Pak orë pas ngjarjes, Policia e Korçës arrestoi si autorë të krimit 5 persona të identifikuar si: Aldi Nazifi, 22 vjeç, Ilia Zeneli, 27 vjeç, Ismir Ravolli, 22 vjeç, Emiliano Nazifi dhe 16-vjeçari me inicialet M.Q. dhe së fundmi ka bërë të mundur edhe kapjen e autorit të 6-të, i cili sipas të dhënave është gjetur në qytet në një banesë të cilën e kishte marrë me qira. Sipas Policisë, autorët, në gjendje të dehur, pas një debati të krijuar mbrëmjen e 13 marsit, kanë goditur me mjete dhe sende të forta në pjesën e kokës dhe pjesë të tjera të trupit dy të rinjtë ku njëri prej tyre, konkretisht Oligert Kreka, ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak në Tiranë si rrjedhojë e plagëve të marra. Ngjarja u regjistrua në një prej banesave të fshatit, e cila ishte marrë me qira nga njëri prej autorëve që masakruan të riun. dh.d