Shqipëria, vështirë për futboll!
Jurgen Klinsman: Nuk merr kollaj rezultat në ato fusha.
Trajneri gjerman i SHBA-ve analizon futbollin e Europës Lindore.
Aktualisht ai është trajneri i Kombëtares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por si një emër i madh, më së shumti i arenës futbollistike si lojtar dhe jo si trajner, Jurgen Klinsman u është përgjigjur pyetjeve të shumta të fansave mbi futbollin në përgjithësi. Gjatë intervistës së tij ai ka përmendur edhe Shqipërinë, duke e cilësuar si një vend ku është mjaft e vështirë që të luash dhe të marrësh rezultat. Klinsman ka qenë me Kombëtaren e Gjermanisë në 19 nëntorin e 1994-s në Tiranë, ku “dojçat” fituan me rezultatin 2-1. Në atë takim, ish-sulmuesi shënoi golin e parë për Gjermaninë në minutën e 16-të. Më pas barazoi Zmijani më minutën e 32-të dhe u kundërpërgjigj Ulf Kirshten në minutën e 46-të. Nisur nga ajo eksperiencë, Klinsman e ka cilësuar si mjaft të dyluftueshme ndeshjen në “Qemal Stafa”. “Në Europë futbolli është disi më ndryshe, sesa në Amerikë. Po të shkosh në vende të Europës së Lindjes, si në Rumani, Moldavi dhe Shqipëri, besomëni është shumë e vështirë që të marrësh rezultat. Mundohesh të bësh lojën tënde, por janë shumë faktorë të tjerë që ta bëjnë mjaft të vështirë marrjen e tri pikëve të plota. Këtë e kam provuar vetë kur kam luajtur me Gjermaninë në këto vende”, ka theksuar ndër të tjera tekniku aktual i Kombëtares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në kohën kur luante futboll Klinsman, Shqipëria është ndeshur 4 herë me Gjermaninë: Shqipëri-Gjermani 1-2; Gjermani-Shqipëri 2-1; Shqipëri-Gjermani 2-3 dhe Gjermani-Shqipëri 4-3. Kujtojmë se ndeshja e prillit të ’97-s u luajt në Granada, Spanjë, për shkak të trazirave në vendin tonë.