E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, pranga punonjësit të ALEAT

Zbulimi pas denoncimit të një shtetasi për vjedhjen e identitetit. I kërkuari dha të dhëna të rreme.

Pajisi me pasaportë biometrike një të kërkuar për plagosje.

Më kanë vjedhur identitetin në zyrën e aplikimit të pasaportave. Ky denoncim i një qytetari ka vënë në lëvizje strukturat Kundër Krimit Financiar në Policinë e Vlorës, të cilat arrestuan punonjësin e ALEAT. Burime të Policisë bënë të ditur se u ngrit një grup hetimor në bazë të informacioneve të marra nga një shtetas i cili pretendonte se në emër të tij kishte aplikuar dikush tjetër për pasaportë biometrike. Nga hetimet e kryera paraprakisht është bërë i mundur arrestimi i shtetasit Rinald Kapo nga Vlora. 25-vjeçari me profesion operator pranimi i kompanisë së prodhimit të pasaportave ALEAT në komunën Shushicë, fshati Llakatund, dyshohet se ka proceduar me dashje në aplikimin për pajisje me pasaportë biometrike të një shtetasi të shpallur në kërkim nga policia, me të dhëna të rreme, të cilat i përkasin shtetasit që ka kryer denoncimin.
Pas arrestimit të 25-vjeçarit, policia dhe grupi hetimor po punojnë për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, si dhe për të verifikuar raste të tjera të dyshuara të lëshimit të dokumenteve për aplikimin e pasaportave me emra të rremë, kryesisht të personave që janë shpallur në kërkim nga policia për vepra penale të ndryshme. Burime nga Policia bënë të ditur se personi që kishte aplikuar për dokumentin identifikues të domosdoshëm për të kaluar kufirin, dyshohet se ka kryer veprën penale të plagosjes me armë zjarri, si dhe armëmbajtjes pa leje. Punonjësi i arrestuar i ALEAT ka deklaruar paraprakisht se ka vepruar në bazë të dokumentacionit që i është paraqitur nga shtetasi që ka aplikuar. Ai ka mohuar të ketë marrë para në këmbim të falsifikimit. Unë nuk di të kem kryer falsifikim të dokumenteve. Kam vepruar në bazë të dokumenteve të sjella dhe nuk kam marrë para në këmbim të kësaj. Kështu mësohet të jetë shprehur Kapo në polici pas arrestimit, ndërsa ka mohuar akuzën. Por sipas burimeve të Policisë, ka të dhëna se ai ka marrë një shumë të konsiderueshme parash në këmbim të veprimeve të tij, shumë e cila nuk bëhet e ditur. Policia bëri të ditur gjithashtu se është duke punuar për kapjen e personit që ka aplikuar me të dhënat e rreme nën identitetin e një tjetër personi nga Llakatundi. Blutë e Vlorës janë duke verifikuar edhe në komuna të tjera për raste të ngjashme të vjedhjes së identitetit nëpërmjet pasaportave biometrike. I riu i arrestuar akuzohet për veprën penale falsifikimi i pasaportave, letërnjoftimeve ose vizave.

DESHMIA
Pas arrestimit, punonjësi i firmës ALEAT ka mohuar të ketë kryer falsifikime. Ai është shprehur në polici se e kishte lëshuar pasaportën biometrike në sajë të dokumenteve të paraqitura nga kërkuesi. Ai ka mohuar gjithashtu të ketë marrë para në këmbim, ndonëse policia dyshon të kundërtën.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›