E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja e Gushit, spiuni u shpërblye për kosovarin

Viktor Gushi ne gjykate

I riu nga Kosova u lirua pas dy muajsh, krimin e pranoi Viktor Gushi.

Nexhat Mulaj u ndalua gabimisht për vrasjen e argjendarit.

Informatorë të Policisë që kanë ndihmuar në arrestimin e shtetasit kosovar Nexhat Mulaj, pas vrasjes së argjendarit Rrapo Sinanaj, janë shpërblyer financiarisht për punën e bërë. Kjo edhe pse krimi ishte kryer nga Viktor Gushi dhe muaj më vonë i riu nga Kosova u shpall i pafajshëm dhe u lirua nga arresti. Burime jozyrtare kanë thënë se ka pasur shpërblim financiar për informatorët më 28 tetor 2012, pasi Policia e Tiranës deklaroi arrestimin e shtetasit Nexhat Mulaj nën dyshimin se ishte autor i vrasjes së argjendarit Rrapo Sinanaj gjatë tentativës së grabitjes në argjendarinë e tij. Burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, të pyetura dje nga gazeta Panorama, e kanë mohuar këtë fakt duke pohuar se nuk ishin në dijeni që për këtë rast të ishte dhënë shpërblim. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani tha mbrëmë në emisionin Opinion të Blendi Fevziut se një person kishte marrë shpërblim pasi informoi për kapjen e personit që kishte vrarë argjendarin atëherë kur ndodhi ngjarja.
Nga ana tjetër, burimet jozyrtare thonë se në fund të tetorit 2011, pas deklarimit se i dyshuari për ngjarjen në argjendari ishte arrestuar, policia kishte shpërblyer personat që kishin dhënë informacion për kapjen e të dyshuarit, i cili me vendim të Prokurorisë e të Gjykatës, tashmë është i pafajshëm. Ndalimi i tij rezultoi një lapsus i nxitur nga ngjashmëria fizike e shtetasit nga Kosova me autorin e vërtetë të ngjarjes që në fakt ishte Viktor Gushi, i arrestuar tashmë për 16 grabitje.
Historia e kosovarit

Argjendaria ku u vra Rrapo Sinanaj

Në fund të tetorit 2011, Gjykata e Tiranës, bazuar në kërkesën e Prokurorisë, vendosi masën arrest me burg për 30 ditë ndaj të riut nga Kosova duke e dyshuar atë për vrasjen e argjendarit Rrapo Sinanaj. Sipas vendimit të Gjykatës, prova e vetme që la në qeli të dyshuarin ishte deklarimi i një kalimtari. Para organeve të hetimit, kalimtari I.B. kishte pretenduar se kishte parë Mulajn të dilte nga argjendaria ku ndodhi vrasja. Pas përfundimit të afatit të parë të arrestit me 30 ditë, gjykata vendosi edhe 30 ditë të tjera arrest për të riun nga Kosova, i cili në fund të dhjetorit, konkretisht në datën 23, u lirua me vendim të Gjykatës së Tiranës. Dosja penale për vrasjen e argjendarit Rrapo Sinanaj në rrugën Reshit Petrela do të pezullohej nga Prokuroria deri në datën 28 mars 2012, një ditë pas grabitjes së ndodhur në filialin e NBG Bank në zonën e Xhamllikut në Tiranë. Një ditë pas vrasjes së Leonora Kaloçit në këtë filial, ekspertiza tregoi se e njëjta armë kishte vrarë edhe Rrapo Sinanajn. Dosja e vrasjes së argjendarit u rihap, ndërsa pas arrestimit të Viktor Gushit ai i pranoi të dyja krimet.               tr.so/e.d

Dëshmia e Viktor Gushit
Pas arrestimit Viktor Gushi ka dëshmuar për vrasjen e argjendarit. Kisha një muaj e disa ditë që kaloja aty, e kisha parë me vëmendje. Kamera nuk kishte dhe argjendari nuk ishte shumë i ri, ishte disi në moshë. Kisha parë me imtësi edhe ambientin brenda argjendarisë. E dija që aty kishte një banjë, kishte disa sirtarë që ai mbyllte paratë me çelës dhe bizhuteritë e floririt. Atë natë, ishte e premte, data 21 tetor 2010, ishte errësuar dhe mendova se ishte momenti i përshtatshëm. Kisha ndërmend që të merrja vetëm varëset, unazat e ato bizhuteri që ishin të banaku, sepse e dija që pjesa tjetër ishte mbyllur me çelës dhe nuk doja të humbisja kohë. I thashë më fut floririn në qese shpejt dhe mos fol. Ai filloi të bërtiste. Mos fol!, i bërtita dhe i drejtova pistoletën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›