Qëlloi dy vëllezër me armë, tha se është lodër
TIRANE – “Është lodër, është lodër dhe bëra shaka!”. Roland Laçej ka shqiptuar duke qeshur këto fjalë për Alfred Selibashën, teksa mbante në dorë pistoletën me të cilën sapo kishte qëlluar mbi dy vëllezërit e tij, Ardian dhe Edmond Selibasha. Të njëjtën pistoletë ai ia ka drejtuar edhe Alfredit, por pa mundur të qëllonte drejt tij. Dinamika e ngjarjes së 12 tetorit 2011 në rrugën “Don Bosko” në Tiranë zbardhet në vendimin e gjykatës, që deklaroi të fajshëm Roland Laçejn. Ai u dënua me 14 vjet burg për akuzën e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armeve luftarake dhe e municionit”. Pas një konflikti të lindur për shkak të mosshlyerjes së parave për blerjen e një apartamenti nga ana e Laçejt tek Edmond Selibasha, pasditen e 12 tetorit ai qëlloi me armë drejt tij dhe vëllait të tij, Ardianit. Nga plagët e marra vdiq më pas Ardian Selibasha. Sipas vendimit të Gjykatës, në lidhje me momentin e ngjarjes në të thuhej se Alfred Selibasha kishte dëgjuar krisma dhe kishte dalë jashtë dyqanit të tij të shihte ç’kishte ndodhur. “Ka parë dy vëllezërit e tij, Ardianin dhe Edmondin, të cilët ishin të shtangur dhe të ngrirë, por ndërkohë ka parë dhe komshiun e tij, të pandehurin Ronald Laçej, i cili kishte një pistoletë në dorë, të drejtuar nga vëllezërit e tij dhe me pas drejtuar edhe atij, duke qeshur dhe thënë: ‘Është lodër, është lodër dhe bëra shaka’. Pasi ka parë këtë ngjarje, Alfredi ka shkuar drejt të pandehurit Ronald duke e kapur për rrobash dhe duke i thënë ‘çfarë bëre kështu mor qen!’, por i pandehuri ia ka drejtuar dhe atij armën. Alfredi ia ka kapur dorën dhe e ka gjuajtur Ronaldin me gju në pjesën e barkut, duke e rrëzuar në tokë. Në këtë moment edhe vëllezërit e tij i janë hedhur të pandehurit, Ronaldit, në trup duke e gjuajtur me grushte dhe më shkelma, e në këtë moment që po godisnim të pandehurin Ronaldin, të dy vëllezërit, Edmond dhe Ardian, janë këputur njëkohësisht të dy dhe kanë rënë në tokë. Deklaruesi Alfred, pasi ka parë dy vëllezërit e tij të rënë në tokë, e ka lëne Ronaldin dhe është marrë me vëllezërit”, rrëfehej ngjarja në vendimin e Gjykatës. ar.ba